Lidhje

Grenell: Unë i them Vuçiçit se e ardhmja është me SHBA-në, jo me Rusinë dhe Kinën


Ish i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se vendi i Serbisë është me Shtetet e Bashkuara, ndërsa kritikoi Shtëpinë e Bardhë për lënien pas dore të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një pritjeje me temën “Serbia Beyond Future” (Serbia përtej së ardhmes), të organizuar nga Misioni serb në Kombet e Bashkuara.

Ish-zyrtari i administratës së zotit Donald Trump tha se “ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet”.

“Unë bisedoj rregullisht me presidentin (Aleksandar) Vuçiç dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk përmbahem nga promovimi i vlerave perëndimore. Mendoj se e ardhmja e Serbisë do të jetë gjithmonë me Amerikën, jo me Rusinë dhe Kinën”, tha zoti Grenell.

I pyetur nga gazetarët për situatën aktuale në Kosovë, ish-zyrtari i cili është ende aktiv në fushatën e zotit Donald Trump, kritikoi administratën e Presidentit Joe Biden.

“Jam shumë i zhgënjyer që e gjithë puna e mirë që Presidenti Trump bëri në rajon, u hodh tutje. Dhe nuk duhet t'ju them juve, apo miqve të mi shqiptarë, se situata është më e keqe nën administratën Biden-Harris. Nuk jam i sigurt që Kamala Harris e di se ku është Ballkani dhe kjo më trishton, sepse ajo nuk është përqendruar në atë çështje. Nuk ka dyshim se gjërat ishin më mirë nën zotin Trump dhe për këtë duhet fajësuar Shtëpia e Bardhë”, tha ai.

Zoti Grenell i cili edhe pas largimit nga detyra qëndroi i afërt me qeverinë aktuale në Serbi, nuk iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës nëse do të mbajë sërish ndonjë post nëse zoti Donald Trump fiton zgjedhjet e 5 nëntorit. Mediat amerikane spekuluan se zoti Grenell mund të bëhet Sekretar i Shtetit.

“Nëse do të mund të parashikoja të ardhmen, do të luaja në lotari dhe do të isha multimilioner”, tha ai me shaka.

Zëri i Amerikës i kërkoi zotit Grenell të komentojë hetimin që po kryen Komisioni i Financave i Senatit për kompaninë e zotit Jared Kushner "Affinity Partners", e cila do të ndërtojë një kompleks luksoz në vendin e ish Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, por këshilltarja për media e Presidentit të Serbisë iu afrua gazetarëve dhe u tha: “më falni, ne thamë se nuk do të ketë pyetje politike”.

Operacionet e kompanisë së zotit Kushner, Affinity... janë duke u hetuar nga Komisioni i Financave i Senatit Amerikan.

Senatori demokrat i Oregonit, Ron Wyden, i dërgoi një letër kompanisë duke kërkuar më shumë informacion në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të kompanisë së zotit Kushner me investitorët e huaj, duke përfshirë qeveritë e huaja që thuhet se i paguajnë kompanisë qindra miliona dollarë tarifa për “konsulentë”.

Në themel të gjithë kësaj qëndron shqetësimi i komisionit se kompania po funksionon si një skemë kompensimi e krijuar pjesërisht për të anashkaluar kërkesat federale të shpalosjes së transaksioneve dhe se mund të ketë konflikte interesi.

Rrjeti Ballkan Insight njoftoi se hetimi i deritanishëm i Komisionit të Financave të Senatit ka treguar se zyrtarët e qeverisë serbe dhe qeverisë shqiptare iu afruan në mënyrë të vazhdueshme kompanisë së zotit Kushner me propozime për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Zoti Grenell e ka lavdëruar shpesh projektin e dhëndrit të zotit Trump në Beograd. New York Times shkruante se edhe zoti Grenell kishte një rol në projekt, por ai nuk e konfirmoi këtë. Jared Kushner tha për New York Times disa muaj më parë se "Riku e inkurajoi atë të investonte në projekt dhe se ai është një avokat i madh i investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe se donte ta nxiste atë për të investuar atje, që kur themeloi fondin e tij".

XS
SM
MD
LG