Lidhje

Jared Kushner në Beograd për projektin e tij ndërtimor


Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili nënshkroi një kontratë me qeverinë e Serbisë për ndërtimin e një kompleksi luksoz në ish selinë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, që u shkatërrua në fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, u takua në Beograd me presidentin e Serbisë. Aleksandar Vuçiç.

"Një shkëmbim frymëzues idesh me Jared Kushnerin, të cilit i tregova me krenari kryeqytetin tonë dhe përvijova disa nga planet për rritjen edhe më të shpejtë të tij. I paraqita atij vizionin e Beogradit si një metropol botëror, shpirti kozmopolit i të cilit ka tërhequr gjithmonë njerëz nga gjithë bota dhe Jared Kushner më prezantoi një projekt për një hotel të mrekullueshëm në Beograd, i cili do të kontribuojë që kryeqyteti ynë të bëhet qendra e kësaj pjese të botës”, shkroi presidenti serb në rrjetet sociale.

Kjo është vizita e parë zyrtare e zotit Kushner në Beograd, që kur u bë e ditur se në mesin e muajit maj kompania e tij dhe qeveria e Serbisë nënshkruar një marrëveshje për projektin e ndërtimeve. Hollësitë e kontratës nuk dihen, por thuhet se kompleksi përfshin një hotel, ndërtesa banimi, zyra dhe një qendër përkujtimore për viktimat e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Zoti Kushner kishte deklaruar më herët se investimi do të arrijë në 500 milionë dollarë dhe qeveria e Serbisë do të marrë 22 për qind nga fitimet.

Që kur u publikua ideja në muajin mars të këtij viti, një grup opozitar në Serbi nisi mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër projektit. Për shumëkënd nga kundërshtarët, ndërtesa e bombarduar e komandës së ushtrisë serbe është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër atij që ata e quajnë, “agresion të NATO-s”.

Njëzetepesë vjet më parë, NATO-ja kreu një fushatë 78 ditëshe të bombardimeve, duke i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Rreth 13,000 veta, kryesisht shqiptarë, u vranë gjatë luftës në Kosovë, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi i mbështetur nga Rusia, vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e saj.

Në muajin mars, Shqipëria tha se ka marrë një projekt investimi nga kompania e zotit Kushner, Affinity Partners, për ta shndërruar një ish bazë ushtarake në ishullin e Sazanit në detin Adriatik, në një qendër pushimesh.

XS
SM
MD
LG