Lidhje

Një aplikacion ndihmon konsumatorët dhe restorantet të minimizojnë hedhjen e ushqimeve


Aplikacioni "Too good to go"/VOA
Aplikacioni "Too good to go"/VOA

Sipas organizatës ‘Feeding America’, që shpërndan ushqime për të varfërit, amerikanët hedhin rreth 41 miliardë kilogramë ushqime në vit, apo rreth 145 miliardë vakte. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Valdya Baraputri, tani ekzistojnë disa mënyra të avancuara teknologjike për t’u siguruar që ky ushqim u shkon atyre që kanë nevojë për të.

Një aplikacion ndihmon konsumatorët dhe restorantet të kursejnë ushqimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Është kohë darke në Uashington dhe punonjësit e restoranit indian ‘Rasa’ po përgatisin ushqimet e porositura për shpërndarje. Por kësaj radhe, konsumatorët nuk e dinë se çfarë ushqimesh do t’u vijnë… ata kanë porositur ushqimin në bazë të çmimit dhe jo llojit të tij siç shënohet në menynë e restoraneve.

“Ne ofrojmë më shumë ushqimet e nxehta, sidomos disa nga llojet e proteinave që nuk janë shumë të freskëta kur ngrohen të nesërmen, prandaj konsumatorët marrin një shumëllojshmëri produktesh”, thotë bashkëpronari i restoranit ‘Rasa’, Rahul Vidon.

Ushqimi është porositur nga aplikacioni ‘Too Good to Go’, apo ‘Shumë i mirë për të shkuar dëm”, që lidh restoranet dhe dyqanet e mëdha të ushqimeve me përdoruesit që duan të blejnë ushqime – shpeshherë në prag të datës së skadimit – me çmime shumë më të ulëta.

Një pjatë ushqimi nga restorani ‘Rasa’ zakonisht kushton 10 deri në 13 dollarë. Përmes aplikacionit, ajo kushton 6.5 dollarë.

Zoti Vidon thotë se pronarët e restoraneve nuk kanë përfitime të mëdha nga këto porosi, por është më mirë se sa ta hedhin ushqimin. Kjo formë ka edhe një përfitim tjetër… ajo sjell tek restorantet klientë të rinj.

“Shumë klientë na vijnë për herë të parë pasi kanë hapur aplikacionin dhe kanë shikuar se çfarë restorante ka pranë tyre”, thotë ai.

Aplikacioni “Shumë i mirë për të shkuar dëm” fillimisht u përdor në Danimarkë në vitin 2015, por tani ai përdoret në Evropë dhe Amerikë. Sipas zëvendës-presidentit të kompanisë për Amerikën, Chris MacAulay, aplikacioni në Shtetet e Bashkuara ka tani rreth 8 milionë përdorues.

“Kemi një grup të madh përdoruesish të cilët po sigurojnë ushqimin për familjet e tyre. Po ashtu kemi përdorues që u pëlqen vetë natyra e kësaj sipërmarrjeje”, thotë ai.

Kur ka nevojë për të hedhur ushqime, ekziston një aplikacion tjetër edhe për këtë. Rreth 400 kosha mbeturinash për të krijuar pleh natyral, të lidhura me aplikacione, gjenden në Nju Jork. Ato po përdoren për të ricikluar ushqimet e vjetra dhe për të mos i hedhur në sheshet e plehrave.

Sipas Departamentit amerikan të Bujqësisë, në Shtetet e Bashkuara një e treta e artikujve ushqimorç nuk konsumohet dhe hidhet në mbeturina.

“Politikat si përgjigje e vetme nuk do të mjaftojnë. As ndryshimet që do të bëjnë bizneset. As konsumatorët që do të përpiqen të bëjnë diçka ndryshe. Duhet që të gjithë ne të bëjmë ndryshime njëkohësisht në të gjitha këto drejtime”, thotë zoti MacAulay.

Hedhja e ushqimit nuk është thjesht vetëm çështje e shpenzimit të kotë… ushqimi i prishur ndikon tek ndryshimet klimatike meqë çliron metan, njëri prej gazeve më rrezikshëm atmosferikë.

XS
SM
MD
LG