Lidhje

Rusia godet Lvivin, ndërsa fillojnë ndryshimet në qeverinë ukrainase


Të paktën shtatë persona humbën jetën nga sulmet ruse në qytetin ukrainas të Lvivit gjatë natës, një ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse me raketa që nga fillimi i luftës. Lvivi është rreth 60 kilometra larg kufirit me Poloninë, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ndërkohë Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba paraqiti dorëheqjen të mërkurën, në prag të ndryshimeve të pritshme në kabinetin qeveritar.

Rusia godet Lvivin, ndërsa fillojnë ndryshimet në qeverinë ukrainase
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi tha të mërkurën se mes viktimave nga sulmi rus në Lviv ishin tre fëmijë.

"Lvivi u vu në shënjestër të një sulmi të kombinuar me raketa dhe dronë. Banesat në dy lagje të Lvivit u goditën, gjithsej më shumë se shtatëdhjetë shtëpi. Shumica e tyre janë monumente arkitekturore, kështu që restaurimi do të ndjekë një protokoll të veçantë. Ne e dimë se ç’duhet të bëjmë por dhimbja më e madhe është humbja jetës”, tha ai.

Guvernatori rajonal Maksym Kozytskyi tha në aplikacionin e mesazheve Telegram, se mes të vrarëve ishin dy vajza, 9 dhe 14 vjeçare. Shërbimet e Urgjencës Shtetërore të Ukrainës thanë se numri i të plagosurve ka arritur në 52.

“Sulmi me raketa vazhdoi për një kohë të gjatë, goditja e tyre ishte e fuqishme, zhurma e jashtëzakonshme. Nga tronditja, unë përfundova nga korridori në një dhomë tjetër. Të gjithë vrapuam në errësirë. Pashë që dritarja e kuzhinës ishte rrëzuar”, thotë dëshmitari Andrii Zamrii.

Sulmi ndodhi një ditë pasi dy raketa balistike goditën një akademi ushtarake dhe një spital në Poltava në Ukrainë, duke vrarë më shumë se 50 vetë dhe plagosur më shumë se 200 të tjerë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse ruse që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dha dorëheqjen të mërkurën, pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy la të kuptohej javën e kaluar se së shpejti do të bënte ndryshime në qeveri. Zoti Kuleba ka qenë një nga figurat më të njohura të Ukrainës në skenën diplomatike. Ai nuk është shprehur për arsyet e dorëheqjes.

Presidenti Zelenskiy tha se Ukraina ka nevojë për "energji të re", ndërkohë që paralajmëroi riorganizimin më të madh të qeverisë që kur Rusia filloi luftën ndaj Ukrainës e cila është në një pikë kritike.

“U jam shumë mirënjohës të gjithë ministrave dhe ekipit qeveritar që punuan për Ukrainën dhe ukrainasit për katër vjet e gjysmë, pesë vjet. Sot kemi nevojë për energji të reja dhe këto hapa synojnë forcimin e shtetit në shumë drejtime. Politika ndërkombëtare, diplomacia nuk bën përjashtim. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të bëjë secili ministër në të ardhmen. Do të ketë më shumë qartësi kur të ofrohen postet e reja. Sot është shumë herët për të folur për këtë”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy.

Ai foli gjatë një konference për shtyp në Kiev me kryeministrin irlandez Simon Harris. Dorëheqje dhe emërime të tjera priten gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa pesë ministra dhanë dorëheqjen të martën.

Zotit Zelenskiy i duhet të ruajë moralin në Ukrainë në mes të luftës së ashpër me Rusinë që filloi para 30 muajsh dhe përpara një dimri tjetër të vështirë. Sulmi vdekjeprurës i Lvivit, pranë kufirit të Polonisë, një anëtare e NATO-s dhe larg vijave të frontit, është një kujtesë tjetër se si e gjithë Ukraina është e rrezikuar.

Inkursioni i ushtrisë ukrainase pothuajse një muaj më parë në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë, përmirësoi moralin e ukrainasve dhe shërbeu si kundërpeshë pas muajsh të tërë lajmesh të zymta nga vija e frontit në Ukrainën lindore.

Objektivat përfundimtare të inkursionit janë të paqarta, megjithëse zoti Zelensky thotë se Ukraina do që të krijojë një zonë neutrale për të parandaluar sulmet ndërkufitare ruse, si edhe të forcojë pozitat negociuese të Kievit në të ardhmen.

Mes konsideratave të Presidentit ukrainas Zelensky, janë edhe zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, të cilat mund të sjellin ndryshim në mbështetjen kritike ushtarake amerikane për vendin e tij.

Ndërkohë, presidenti Vladimir Putin mbetet i vendosur që ushtria ruse të avancojë më thellë në Ukrainën lindore.

XS
SM
MD
LG