Lidhje

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Kuleba jep dorëheqjen


Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba, një nga personalitetet më të njohura të Ukrainës në skenën ndërkombëtare, dorëzoi dorëheqjen e tij të mërkurën, në prag të një riorganizimi të madh të pritshëm të qeverisë ukrainase. Sulmet ruse, ndërkohë, vranë të paktën shtatë persona në qytetin ukrainas Lviv pranë kufirit polak, një ditë pas njërit prej sulmeve më vdekjeprurëse me raketa, që nga fillimi i luftës.

Dmytro Kuleba, 43 vjeç, nuk dha arsye për dorëheqjen, e cila do të diskutohet nga ligjvënësit në seancën e ardhshme, tha kryetari i parlamentit Ruslan Stefanchuk në llogarinë e tij në Facebook. Katër ministra të tjerë të kabinetit dhanë dorëheqjet e tyre të martën vonë, duke e bërë riorganizimin e kabinetit me gjasë më të madhin që nga agresioni i Rusisë në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky la të kuptohet javën e kaluar se një riorganizim ishte i pashmangshëm, ndërsa lufta pritet të hyjë në një periudhë kritike.

Presidentit Zelensky i duhet të mbajë moralin e Ukrainës në mes të luftës së ashpër me fqinjin e saj më të madh dhe vendosmërinë e vendit për atë që pritet të jetë një tjetër dimër i vështirë. Rusia ka shkatërruar rrjetin elektrik të Ukrainës, duke rrënuar rreth 70 për qind të kapacitetit prodhues dhe duke ndërprerë furnizimin me ngrohje dhe ujë.

Operacioni i rrezikshëm, por kryesisht i suksesshëm i ushtrisë ukrainase pothuajse një muaj më parë në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë, sikur ndryshoi rrjedhën e muajve të tërë me lajme të zymta nga vija e frontit në Ukrainën lindore.

Kursku nuk është një përparësi, megjithatë, për Presidentin rus Vladimir Putin, i cili mbetet i vendosur të shtyjë ushtrinë e tij më thellë në Ukrainën lindore. Sulmi i Rusisë në Donetsk, ku Ukraina ka mungesë të trupave dhe mbrojtjes ajrore, dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë që godasin vazhdimisht zonat civile të Ukrainës, sinjalizojnë se Presidenti Putin do të mbetet i pakompromis dhe i paepur në përpjekjet e tij për të shtypur rezistencën ukrainase.

Presidenti Zelensky gjithashtu ka parasysh zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor, të cilat mund të sjellin një ndryshim në mbështetjen kryesore ushtarake amerikane për vendin e tij.

Gjatë luftës, ministri Kuleba ka qenë i dyti pas Presidentit Zelensky në transmetimin e mesazhit dhe nevojave të Ukrainës për një audiencë ndërkombëtare, qoftë përmes postimeve në mediat sociale apo takimeve me personalitete të huaja. Në korrik, zoti Kuleba u bë zyrtari më i lartë ukrainas që vizitoi Kinën që nga agresioni rus. Ai është ministër i Jashtëm që nga marsi i vitit 2020.

Pasardhësi i zotit Kuleba nuk dihet ende, por pritet të shpallet të enjten. Disa media ukrainase, duke cituar burime të paidentifikuara, thanë se zëvendësi i tij, Andrii Sybiha, do të mund të bëhej kryediplomati i vendit.

Ministri i ri i Jashtëm ka të ngjarë të shoqërojë Presidentin Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork javën e ardhshme, e cila është një mundësi për të kërkuar mbështetjen e udhëheqësve botëror.

Më shumë se gjysma e kabinetit aktual do të pësojë ndryshime, tha Davyd Arakhamiia, një udhëheqës i partisë së zotit Zelensky në parlamentin ukrainas. Ministrat do të japin dorëheqjen të mërkurën dhe emërimet e reja do të bëhen të enjten, tha ai.

Mandati pesëvjeçar i Presidentit Zelensky përfundoi në muajin maj. Ai mbetet në pushtet sipas dispozitave të ligjit ushtarak.

Sulmet ruse, ndërkohë, vranë të paktën shtatë persona dhe plagosën 35 të tjerë në një sulm gjatë natës në Lviv, tha kryebashkiaku Andrii Sadovyi. Një fëmijë dhe një punonjës mjekësor ishin në mesin e të vrarëve dhe shumë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, tha ai.

Lvivi shtrihet rreth 60 kilometra nga kufiri me Poloninë, një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës.

Një sulm gjatë natës plagosi gjithashtu pesë persona në Kryvyi Rih, vendlindja e zotit Zelensky, tha shefi rajonal Serhii Lysak.

Zoti Kuleba tha se sulmet flasin për nevojën e Ukrainës për më shumë mbështetje perëndimore. "Për t'i dhënë fund këtij terrori, partnerët e Ukrainës duhet të dorëzojnë menjëherë sistemet dhe municionet e premtuara të mbrojtjes ajrore, si dhe të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe të na lejojnë të kryejmë sulme me rreze të gjatë mbi të gjitha objektivat legjitime ushtarake në Rusi", shkroi ai në rrjetin X.

Presidenti Zelensky reagoi ndaj sulmeve duke u kërkuar aleatëve të Ukrainës që t'i japin Kievit leje për të përdorur armët perëndimore, për të goditur më thellë në territorin rus.

Sulmi ndodhi një ditë pasi dy raketa balistike shpërthyen në një akademi ushtarake dhe një spital aty pranë në Poltava, duke vrarë mbi 50 persona dhe duke plagosur pothuajse 300 të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas.

Poltava, një qytet rreth 350 kilometra në juglindje të Kievit, shtrihet përgjatë autostradës kryesore dhe hekurudhës midis Kievit dhe qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, i cili është afër kufirit rus.

XS
SM
MD
LG