Mbi 300 mijë nxënës në Kosovë të hënën filluan vitin e ri shkollor, mes shqetësimeve të ngritura nga opozita për përgatitje të vonuara të qeverisë dhe paralajmërimeve të sindikatave për greva dhe veprime të tjera sindikale në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ndër të tjera kërkon ngritjen e pagave për mësimdhënësit, ndërsa paralajmëroi veprime sindikale nëse dialogu me institucionet nuk jep rezultat.
Sindikata e sektorit privat të Kosovës kishte paralajmëruar grevë të punonjësve teknikë në shkollat e Prishtinës. Por, kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, tha sot në një konferencë për shtypin se tashmë administrata e kryeqytetit i ka plotësuar kërkesat për rritje të pagave të këtyre punonjësve.
“Për punonjësit e shkollave të mesme me një tetor fillon paga e tyre 400 euro bruto dhe meqë tani qeveria e Kosovës paguan tatimin në pagë, këta punëtorë i bie që nga një tetori do të kenë rritje page për 130 eurosh. Ndërkaq nga dhjetë shtatori punëtorët e shkollave fillore do të marrin pagë perej 380 eurosh neto”, tha zoti Azemi.
Partitë opozitare kritikuan mes tjerash autoritetet për mënyrën e furnizimit të nxënësve me teksteve shkollore. Ky është viti i dytë që ministria e Arsimit në Kosovë ka vendosur t’i kompensojë prindërit financiarisht pasi t’i kenë blerë tekstet shkollore për fëmijët.
Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit thotë se tekstet shkollore, do të duhej të shpërndahen falas nga ministria, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke argumentuar se “ky vendim i gabuar krijoi probleme edhe vitin e kaluar kur shtatori e tetori i gjeti një numër të konsiderueshëm të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha të hënën gjatë një vizite në një nga shkollat në kryeqytet se i tërë procesi po rrjedh sipas planeve dhe nuk ka asnjë ankesë nga ndonjë prej komunave në Kosovë.
“Furnizimi me tekste shkollore ka shkuar shumë mirë deri tani me aq sa ne kemi informata. Nga sot e gjatë gjithë javës kolegët nga ministria dhe inspektorët do të jenë në vizita në secilën prej komunave”, tha ajo.
Komuna e Prishtinës vendosi për herë të parë që në pesë shkolla në kryeqytet të zhvillohet mësimi gjithëditor, me synim që kjo metodë e mësimdhënies të zbatohet në të ardhmen në të gjitha shkollat. Aktualisht nxënësit qëndrojnë në shkollë për rreth tri deri në katër orë.
Ekspertë të arsimit në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin për ngecje të shumta që sipas tyre e karakterizojnë sistemin arsimor të vendit. Në tri testimet e fundit të programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, të njohur si PISA, Kosova është radhitur gati në fund të listës botërore.