I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, u shpeh i shqetësuar të enjten në Prishtinë me mungesën e gatishmërisë për kompromise, që siç tha, do të mundësonin arritjen e një kthese ambicioze për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai i bëri këto komente në përfundim të një vizite në Prishtinë, ndërsa paralajëmroi se javën që vjen do të qëndrojë në disa vende të rajonit në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet me 14 tetor. Ai tha se deri në takim duhen veprime konkrete që ndihmojnë përparimin e vendeve të rajonit që aspirojnë integrimet evropiane.
“Por, për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmëri për lëshime mbi pajtimin rreth marrëveshjeve politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as për Kosovën”, tha zoti Sarrazin, në një konferencë shtypi, në të cilën nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.
Procesi i Berlinit është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
“Pesë vjet më parë u hodh ideja për një treg të përbashkët rajonal dhe me planin e rritjes së Bashkimit Evropian ideja është të mbledhim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me parimin e partnerëve të barabartë, së bashku drejt Bashkimit Evropian. Për këtë na duhet bashkëpunimi rajonal dhe na duhen rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rezultate që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm dhe tregtia, përparimi ekonomik e bashkëpunimi janë të rëndësishme në këtë drejtim”, tha zoti Sarrazin.
Krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal zë vend kryesor në Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, që Komisioni Evropian shpalosi nëntorin e kaluar, me të cilin synohet mbështetja e reformave në këtë rajon si dhe investimet në infrastrukturën e tyre. Procesi i Berlinit e ka pozicionuar Tregun e Përbashkët Rajonal në qendër të ecurisë së Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse nuk kemi rezultate më të mira para samitit me 14 tetor brengosem se nuk do ta arrijmë synimin tonë për të dhënë një shenjë të fortë se bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët dhe Procesi i Berlinit është formati që në këtë rajon mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në terren”, tha ai.
Zoti Sarrazin u bëri thirrje udhëheqësve të rajonit të bëjnë “krejt çfarë është e mundur për të dëshmuar gatishmëri për kompromis” për të arritur rezultate për lirinë e lëvizjes së mallrave, njerëzve, parave dhe tregtisë në rajon.