Lidhje

Hapet dega e parë e Postës së Kosovës në veri të Mitrovicës


Posta e Kosovës në veri të Mitrovicës
Posta e Kosovës në veri të Mitrovicës

Posta e Kosovës hapi të enjten degën e saj të parë në veri të Mitrovicës, mes kundërshtimeve të disa veprimtarëve dhe përfaqësuesve politik serbë.

Hapja e zyrave të Postës së Kosoëvs pasoi mbylljen degëve të Postës së Serbisë, që vepronin pa licencë në veri, në një operacion të policisë në fillim të këtij muaji, i cili nxiti reagimin e Beogradit por edhe diplomacisë perëndimore.

Hapet dega e parë e Postës së Kosovës në veri të Mitrovicës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë e vlerësuan mbylljen e atyre degëve si “provokim për konflikt” nga ana e qeverisë në Prishtinë. Diplomacia perëndimore ndërkaq u shpreh e zhgënjyer me ato që u cilësuan “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës”, përfshirë edhe synimin e saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ndaj veprimeve të cilësuara si të njëanshme paralajëmroi sot edhe Presidenti francez, Emanuel Macron, në një shkrim autorial të publikuar në të përditshmen pro qeveritare të Serbisë “Politika”, pak para se të nisë një vizitë dyditëshe në Beograd.

Në shkrimin e tij, Presidenti Macron trajtoi edhe çështjen e pakicës serbe në Kosovë, duke ritheksuar përkushtimin ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të një plani të hartuar nga Franca dhe Gjermania.

Ai shkroi se propozimi franko-gjerman ruan “mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë, por edhe ekzistencën e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.

Presidenti francez ritheksoi angazhimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe pjesa më e vështirë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve si dhe përkushtimin e Francës “që të ndihmoj rajonin të shmangë lëvizjet e njëanshme dhe ngritjen e tensioneve”.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet si hapja e urës së Ibrit të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel, duke tërhequr vërejtjen për pasojat e veprimeve të pabashkërenduara në marrëdhëniet dypalëshe.

Partitë opozitare në Kosovë akuzojnë qeverinë se ka dëmtuar në shkallë serioze marrëdhëniet me aleatët kryesor perëndimorë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha sot se “bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm”.

Ai i bëri këto komente pas takimit me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili zhvillon takime me dyer të mbyllura me përfaqësuesit politikë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës thekson se veprimet e saj në veri janë në funksion të vendosjes së ligjshmërisë dhe shtrirjes së sovranitetit, por mohon të jenë dëmtuar marrëdhëiet me aleatët.

XS
SM
MD
LG