Lidhje

Policia gjermane tha se një 26 vjeçar sirian pretendon të ketë kryer sulmin në Solingen


Autoritetet gjermane thanë të dielën se i dyshuari për sulmin me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit, që vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë, është një burrë sirian 26-vjeçar.

I dyshuari u dorëzua dhe e pranoi krimin, thanë policia dhe prokurorët e Duseldorfit në një deklaratë të përbashkët. “Përfshirja e këtij personi aktualisht është nën hetim të ngjeshur”, thuhet në deklaratë.

Sulmi, për të cilin grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë, ndodhi të premten në mbrëmje në Fronhof, një shesh tregu ku po mbahej një festival për të kremtuar historinë 650-vjeçare të Solingenit.

Sulmi ndodhi në mes të debatit mbi imigracionin para zgjedhjeve të së dielës së ardhshme në rajonet e Saksonisë dhe Thueringias të Gjermanisë, ku partitë kundër imigracionit si Alternativa për Gjermaninë pritet të arrijnë rezultate të mira.

I dyshuari jetonte në një shtëpi për refugjatët në Solingen, e cila u kontrollua të shtunën, tha ministri i brendshëm i Rhine-Westphalias, Herbert Reul.

Gazeta Der Spiegel, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi se burri u zhvendos në Gjermani në fund të vitit 2022 dhe kërkoi strehim. Në kohën e dorëzimit rrobat e tij ishin me gjak.

Policia nuk pranoi të komentojë raportin e gazetës Der Spiegel.

Ndërkohë, prokurorët federalë gjermanë morën përsipër rastin dhe po hetojnë nëse i dyshuari ishte pjesëtar i grupit militant Shteti Islamik, tha një zëdhënës i prokurorëve.

Grupi e përshkroi sulmuesin si "ushtar të Shtetit Islamik" në një deklaratë në llogarinë e tij në Telegram të shtunën. "Ai e kreu sulmin në shenjë hakmarrjeje për myslimanët në Palestinë dhe kudo", thuhet në deklaratën e grupit por pa dhënë ndonjë provë për pretendimet e tij.

Hendrik Wuest, kryeministri i shtetit të North Rhein-Westphalias, e përshkroi sulmin e së premtes si një akt terrori.

Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), ka numëruar rreth një duzinë sulmesh të motivuara nga islamistët që nga viti 2000.

Një nga më të mëdhenjtë ishte ai i vitit 2016, kur një tunizian u fut me kamion në një treg Krishtlindjesh në Berlin, duke vrarë 12 veta dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

XS
SM
MD
LG