Grupi Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë të shtunën për sulmin e së premtes me thikë në qytetin gjerman të Solingenit, në të cilin u vranë tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Rreth 24 orë pas sulmit, policia tha se kreu një arrestim të dytë të shtunën në mbrëmje, si pjesë e një operacioni policor në një shtëpi refugjatësh në Solingen. Policia tha se nuk mund të jepte më shumë hollësi mbi të arrestuarin apo lidhjen e tij me sulmin.
Më herët të shtunën policia arrestoi një 15 vjeçar, i cili sipas saj, mund të ishte i lidhur me sulmin, por tha se autori ishte ende i lirë.
Duke e përshkruar sulmuesin si një "ushtar të Shtetit Islamik", grupi militant tha në një deklaratë në llogarinë e tij në Telegram se “ai e kreu sulmin në shenjë hakmarrjeje për myslimanët në Palestinë dhe kudo”.
Grupi nuk dha menjëherë ndonjë provë për pohimin e tij dhe nuk ishte e qartë se sa e ngushtë ishte lidhja midis sulmuesit dhe Shtetit Islamik.
Hendrik Wuest, kryeministri i shtetit të North Rhein-Westphalias, e përshkroi sulmin e së premtes gjatë një festivali në qytet si një akt terrori.
"Ky sulm ka goditur në zemër të vendit tonë", u tha ai gazetarëve.
Më herët Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser tha se autoritetet e sigurisë po bënin gjithçka që mundeshin për të kapur personin e dyshuar për sulmin dhe për të hetuar motivet e kësaj ngjarjeje.
Markus Caspers, një zyrtar në zyrën e prokurorit publik në Duseldorf, tha se autoritetet po e trajtonin sulmin si një incident të mundshëm terrorist, sepse nuk kishte asnjë motiv tjetër të njohur dhe nuk duket të ketë pasur ndonjë lidhje mes viktimave.
"Autori duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet me forcën më të madhe të ligjit", shkruante kancelari gjerman Olaf Scholz në një postim në X.
"Sulmi në Solingen është një ngjarje e tmerrshme që më ka tronditur shumë. Një person ka vrarë brutalisht disa njerëz. Sapo fola me kryetarin e bashkisë së Solingenit, Tim Kurzbach. Ne vajtojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre", shkruate më tej kancelari Scholz.
"Festivali i Diversitetit", gjatë të cilit ndodhi sulmi, ishte organizuar me rastin e 650-vjetorit të qytetit. Ai nisi të premten dhe ishte menduar të zgjaste deri të dielën.
Solingeni ka rreth 160,000 banorë dhe ndodhet pranë qyteteve më të mëdha, si Këlni dhe Dyseldorfi.