Lidhje

Plagoset një grua në Fushë Kosovë, arrestohet bashkëshorti i saj


Autoritetet në Kosovë thanë të martën se një grua është plagosur me armë zjarri në Fushë Kosovë, pak kilometra larg Prishtinës dhe policia arrestoi bashkëshortin e saj si të dyshuar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i tha Zërit të Amerikës se “informacionin për plagosje policia e ka marrë në orën 07:30” dhe se “lidhur me këtë rast është arrestuar tashmë një person i dyshuar”.

E plagosura po trajtohet në spitalin e Prishtinës dhe sipas drejtorit të Klinikës Emergjente Naser Syla, gjendja e saj shëndetësore është e rëndë por e qëndrueshme.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se i dyshuari ishte i njohur për organet e rendit për shkak të dhunës në familje.

“Personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje por ishte liruar anipse ishte recidivist dhe sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Haxhiu tha se ky rast është dëshmi e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, duke hedhur kritika mbi gjyqtarin dhe prokurorin që kanë marrë vendim për lirimin e të dyshuarit.

“Në vazhdimësi kemi theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo arrestuar për dhunë më herët. Kësisoj, është e pafalshme neglizhenca dhe mosdënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve”, shkroi ajo.

Dhuna në familje, që në të shumtën e rasteve është dhunë ndaj gruas, ka shënuar rritje viteve të fundit në Kosovë dhe mbetet një ndër shqetësimet kryesore të veprimtarëve humanitarë.

Tri gra janë vrarë që nga fillimi i këtij viti në Kosovë. Në muajin prill, dy gra, një në Pejë e tjetra në Ferizaj, u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa javën e kaluar në Graçanicë afër Prishtinës, një gru vdiq nga pasojat e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

XS
SM
MD
LG