Lidhje

Ministrja e Drejtësisë pas intervistimit nga prokuroria e Posaçme: Ka një përpjekje të hapur për të penguar reformat në drejtësi


Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, akuzoi të martën Prokurorinë e Posaçme të Kosovës se po përpiqet ta pengojë punën e ministrisë që ajo drejton.

Haxhiu: Ka një përpjekje të hapur për të penguar reformat në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Ajo i bëri këto komente pasi për të dytën herë u intervisua nga Prokuroria e Posaçme me qëllim të sqarimit të deklaratave të saj rreth punës së gjyqësorit dhe arratisjeve nga burgjet e Kosovës.

“Unë në vazhdimësi kam përmendur që ka një përpjekje të hapur të sistemit të drejtësisë për të penguar reformat në drejtësi. Këta kanë qenë kundër vettingut, kanë qenë kundër reformës në drejtësi, prandaj edhe kam parë që në vazhdimësi kanë pasur përpjekje që me veprime të tilla në njëfarë mënyre t’i keqpërdorin kompetencat që kanë që të më ndalin përmes ftesave që më bëjnë në vazhdimësi”, tha ajo.

Të shtunën me 20 korrik, në një postim të gjatë në Facebook, ministrja Haxhiu, ngriti pretendime se autoritetet e Serbisë kanë gisht në arratisjen e disa të dënuarve nga burgjet e Kosovës. Në postim thuhet se “së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

“Kjo situatë ka mundur të përmbyllet ndryshe, unë jam ministre e Drejtësisë pra udhëheq një ministri në kuadër të qeverisë së Kosovës dhe pas reagimit tim në rrjetin social Facebook ka qenë e udhës që të më ftoj në kuadër të bashkëpunimit institucional. Por, përpjekjet e tyre me autorizim të policisë në cilësinë e dëshmitares të intervistohem, tregojnë shumë për qasjen që kanë por gjithashtu edhe për motivet që mund të kenë”, tha zonja Haxhiu.

Postimi i saj u bë një ditë pasi autoritetet në Serbi njoftuan është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri me 18 korrik në afërsi të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Autoritetet serbe thanë se i vrari është Faton Hajrizi, i cili më 6 korrik ishte arratisur nga një burg në Kosovë.

Autoritetet thonë se që nga vitit 2007, nga burgjet e Kosovës janë arratisur 56 persona.

Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Prokurorial e ai Gjyqësor i Kosovës në vazhdimësi kanë shkëmbyer kritika të ndërsjella.

Qeveria e Kosovës në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë për punë të ngadaltë dhe mosveprim në raste si luftimi i krimit, ndjekja e krimeve të luftës dhe hetimi i ngjarjeve si sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar - kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës i kanë dënuar ashpër deklaratat e tilla duke i vlerësuar ato si përpjekje “për të ndërhyrë në punën e pavarur” të tyre.

Një raport i Institutit të Kosovës për Drejtësi mbi ndërhyrjet politike në drejtësi thotë se “deklaratat e kryeministrit, anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve të parlamentit për atë se kur duhet të jetë aktive prokuroria, përse në raste të caktuara ajo nuk inicion raste, përse gjykatat japin dënime të ulta ose vonojnë në nxjerrjen e aktgjykimeve, nuk janë përgjegjësi e tyre lirgjore” duke theksuar se deklaratat e tilla minojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

XS
SM
MD
LG