Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti, do të ishte veprim i drejtë, në respektim të lirisë së lëvizjes.
Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi një ditë pas takimit me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë, në të cilin u diskutua rreth mundësisë për rivendosjen e lirisë së lëvizjes së makinave nëpër këtë urë që aktualisht shfrytëzohet vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa ruhet nga forcat e policisë dhe ato të misionit paqeruajtës të NATO-s.
“Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që ne e synojmë, nuk është kundër askujt, por është për qytetarët, për mallrat dhe për kapitalin. I ndihmon si njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë dhe bashkëpunimin”, tha ai.
Në prill të vitit të kaluar kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut, ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, mori vendim për hapjen e kësaj ure, ndonëse siç u tha, vendimi përfundimtar u takon institucioneve qendrore.
Partitë politike serbe në veri kundërshtojnë hapjen e urës.
Bashkimi Evropian thotë se çdo veprim që prek të dy komunitetet duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve në Bruksel, ndërsa thekson se hapja e urës ishte pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian nga viti 2015 dhe 2016. Blloku thotë se “hapat e njëanshëm dhe të pabashkërenduar e zhvendosin vëmendjen nga përparësia kryesore për të dyja palët që është zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve", për të cilëm palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Por, dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë si dhe kryenegociatorëve të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.
Sot është afati i fundit që palët t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve, në bazë të të cilave blloku pritet të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.
Kryeministri Kurti tha se ekipi i Kosovës ende po punon në përgatitjen e propozimeve...
“Në mënyrë që t’i përgjigjet Burkselit në mënyrë adekuate dhe të merituar dhe për këtë gjë do të ju njoftojmë edhe juve gjatë ditës së sotme ose më së largu nesër paradite”, tha ai.
Ndonëse nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian e konsideron marrëveshjen e Ohrit ligjërisht të detyrueshme dhe në disa raste ka theksuar se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.