Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të hënën se njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte rrjedhë logjike e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndonëse qëllimi i dialogut të lehtësuar nga Brukseli nuk përfshin njohjen.
“Kjo çështje nuk trajtohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Detyra e këtij dialogu është normalizimi i marrëdhënieve por përcaktimi i normalizimit fare në fund të procesit, kur të arrijmë atje, apo thënë më mirë kur palët të arrijnë atje me mbështetjen tonë, do të përcaktohet nga vet palët, pra se çfarë ata nënkuptojnë me normalizim dhe çfarë do të ishte përfundimi i këtij procesi”, tha zoti Stano.
Ai i bëri këto komente një ditë para takimit të radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.
“Agjenda e takimit të nesërm përcaktohet natyrisht nga urgjenca më e madhe që është fillimi i zbatimit të marrëveshjes mbi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Stano.
Janë bërë më shumë se një vit që kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel dhe në Ohër, por zbatimi i saj ende nuk ka nisur.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për t’i nxitur palët që të zbatojnë marrëveshjen e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia.
Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.
Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimit evropian të tyre.