Lidhje

Putin në Vietnam, në përpjekje për të forcuar lidhjet në Azinë Juglindore ndërsa thellohet izolimi i Rusisë


Presidenti rus Vladimir Putin, po synon të forcojë lidhjet me partnerin e vjetër, Vietnamin, në një vizitë shtetërore të enjten, ndërsa Moska po përballet me izolimin ndërkombëtar në rritje për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti Putin u përshëndet nga personalitetet pas mbërritjes së tij në vendin e Azisë Juglindore, ku shkoi pas vizitës në Korenë e Veriut, gjatë së cilës ai dhe udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un, nënshkruan një marrëveshje që përfshin zotimin për ndihmë të ndërsjellë në rast lufte.

Marrëveshja strategjike që mund të shënojë lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, u arrit ndërsa të dyja vendet përballen me përplasje të përshkallëzuar me Perëndimin.

Presidenti Putin arriti në pallatin presidencial të Vietnamit të enjten pasdite, ku u përshëndet nga nxënës shkollash që valëvitnin flamujt rusë dhe vietnamezë. Atje ai shtrëngoi duart dhe përqafoi presidentin e ri të Vietnamit. To Lam. Udhëheqësi rus planifikon të takohet gjithashtu me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste Nguyen Phu Trong, politikani më i fuqishëm i Vietnamit dhe zyrtarë të tjerë.

Rusia është e e përkushtuar të mbajë "bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv" në fushat e energjisë, industrisë, teknologjisë, arsimit, sigurisë dhe tregtisë, tha të mërkurën ambasadori rus në Vietnam, Genadi S. Bezdetko, sipas mediave zyrtare vietnameze.

Udhëtimi u kritikua ashpër nga ambasada amerikane në Vietnam.

Shumëçka ka ndryshuar që nga vizita e fundit e presidentit Putini në Vietnam në vitin 2017. Rusia tani përballet me një sërë sanksionesh të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për shkak të agresionit në Ukrainë. Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë lëshoi një urdhër arresti për presidentin Putin nën akuzat për krime lufte. Kremlini e hodhi poshtë atë si "të pavlefshëm", duke theksuar se Moska nuk e njeh juridiksionin e gjykatës.

Vizitat e fundit të presidentit Putin në Kinë dhe tani në Korenë e Veriut dhe në Vietnam, janë përpjekje për të "thyer izolimin ndërkombëtar", tha Nguyen Khac Giang, një analist në Institutin ISEAS-Yusof Ishak të Singaporit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë shprehur shqetësimin për një marrëveshje të mundshme armësh, sipas së cilës Pheniani i siguron Moskës municionet e nevojshme për luftën e saj në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë që mund të rris kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave të Koresë së Veriut.

Të dyja vendet mohojnë akuzat për transferime armësh, gjë që do të paraqiste shkelje të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat Rusia i ka miratuar më parë.

Ndërkohë, Rusia është e rëndësishme për Vietnamin për dy arsye, tha analisti Giang. Ajo është furnizuesi më i madh me pajisje ushtarake për vendin Azisë Juglindore dhe teknologjitë ruse të kërkimit të naftës ndihmojnë në ruajtjen e pretendimeve të saj për sovranitet në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Hanoi dhe Moska kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 1950 dhe këtë vit shënohen 30 vjet të një marrëveshjeje që vendos “marrëdhënie miqësore” midis Vietnamit dhe Rusisë.

Dëshmia e kësaj marrëdhënieje të gjatë dhe ndikimi i saj mund të shihen në qytetet vietnameze si kryeqyteti, ku shumë blloqe apartamentesh të stilit sovjetik, tani janë nën hijen e rrokaqiejve dhe një statujë e Vladimir Iliç Leninit, themeluesit të Bashkimit Sovjetik, qëndron në një park të Hanoit. Shumë nga udhëheqësit e lartë të Partisë Komuniste në Vietnam studiuan në universitetet sovjetike, përfshirë shefin e saj aktual, Trong.

Në një artikull të shkruar për gazetën zyrtare të Partisë Komuniste të Vietnamit Nhan Dan, presidenti Putin u zotua të thellojë lidhjet midis Moskës dhe Hanoit dhe përshëndeti Vietnamin si një "mbështetës të fortë të një rendi botëror të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, parimet e barazisë së të gjitha shteteve mosndërhyrjen në punët e tyre të brendshme”.

Në artikullin e publikuar nga Kremlini, si falënderoi gjithashtu "miqtë vietnamezë për qëndrimin e tyre të drejtpeshuar ndaj krizës ukrainase".

Duke pasur parasysh izolimin ndërkombëtar të Putinit, Vietnami po i bën udhëheqësit rus një "favor të madh dhe mund të presë favore në këmbim", shkroi Andrew Goledzinowski, ambasadori australian në Vietnam, në platformën e mediave sociale X. Ai tha se do të kishte qenë e vështirë për Vietnamin të refuzojë vizitën pasi presidenti Putin ishte tashmë në Azi dhe Vietnami ka lidhje historike me ish Republikën Sovjetike, por tha se nuk kishte gjasa që të dyja vendet të ishin përsëri partnerë strategjikë. "Vietnami do të veprojë gjithmonë në interes të Vietnamit dhe të askujt tjetër", shkroi ai.

Politika pragmatike e Vietnamit e "diplomacisë bambu", një frazë e krijuar nga udhëheqësi komunist Trong duke iu referuar natyrës së drurit që përkulet por nuk thyet nga erërat e kundërta të gjeopolitikës globale, po vihet në sprovë gjithnjë e më shumë.

Një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm në zinxhirët e furnizimit global, Vietnami ishte mikpritës i presidentit amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit të Kinës rivale, Xi Jinping, në vitin 2023.

Vietnami ka qëndruar i “paanshëm” ndaj agresionit rus në Ukrainë. Por neutraliteti po bëhet më i ndërlikuar, me ambasadën amerikane në Hanoi që kritikoi vizitën e presidentit Putini, duke thënë se "asnjë vend nuk duhet t'i japë Putinit një platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe ta lejojë atë të normalizojë mizoritë e tij". Nëse Putinit i lejohet të udhëtojë lirshëm, “mund të normalizojë shkeljet flagrante të ligjit ndërkombëtar nga Rusia”, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG