Lidhje

Hapet “Java e Krenarisë” në Kosovë


Nën moton “Kemi qenë dhe do të jemi”, të hënën mbrëma në Kosovë u hap “Java e Krenarisë” e cila synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të shoqërisë lidhur me të drejtat e komunitetit LGBTI.

Hapja e kësaj jave u bë në një ceremoni të posaçme nga zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve vendëse e ndërkombëtare si dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Grupeve Sociale tha se ka një rritje të shkallës së diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj këtij komuniteti.

“Kjo po shfaqet në forma të ndryshme, gjuhë nënçmuese, sjellje përjashtuese, dhunë e madje edhe përpjekje e grupeve të caktuara për të minuar të drejtat e personave LGBTI të cilat u fituan me shumë vështirësi”, tha zoti Nuhiu.

Ai bëri thirrje që sa më parë të rregullohet ligjërisht martesa ndërmjet personave të së njejtës gjini, nëpërmjet miratimit të Kodit Civil.

“Çdo vonesë në rregullimin ligjor të një të drejte elementare dhe kushtetuese është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha zoti Nuhiu.

Në muajin mars të vitit 2022 parlamenti i Kosovës dështoi të miratonte në parim projekt Kodin Civil, i cili i hap rrugë rregullimit ligjor të martesave ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se mosmiratimi i Kodit Civil ka shpërfaqur nevojën për angazhim të shtuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth komunitetit LGBT.

“Është e pamundshme që një shoqëri dhe shtet të jetë i drejtë dhe të zhvillohet nëse nuk ndërtohet mbi parimin e sundimit të ligjit dhe barazisë së të gjithë qytetarëve. Prandaj më lejoni të shfaq vullnetin e qeverisë së Kosovës për t’i trajtuar të gjitha përgjegjësitë që i kemi e të mos dorëzohemi”, tha zonja Haxhiu.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se do ta përcjellë nga afër çdo zhvillim rreth Kodit Civil, ndërsa bëri thirrje për njohje të të drejtave të komunitetit LGBT.

“Barazia për të gjithë nuk është një koncept i huaj që perëndimi dëshiron të imponojë në dëm të kulturës kombëtare dhe traditave fetare, ashtu siç disa dëshirojnë ta përkufizojnë. Përkundrazi është një koncept që promovon tolerancën, mirëkuptimin, respektin dhe dashurinë”, tha ai.

Në projekt Kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”, ndërsa në nenin tjetër të këtij Kodi theksohet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Ndonëse në prill të këtij viti, kryeministri Albin Kurti, ishte zotuar se do të punojë për të siguruar shumicën parlamentare dhe të hedh sërish në votim projekt Kodin Civil, ende mbetet e paqartë se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë meqë mospajtime ka edhe në radhët e partisë në pushtet.

Deputetët që kundërshtojnë Kodin Civil thonë se këto nene janë “kundër vlerave të familjes”.

Kundër projekt Kodit Civil janë deklaruar edhe udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, të cilët në vitin 2022 nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku nënvizuan se ai “ripërkufizon familjen dhe martesën”.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin e këtij viti për Kosovën theksoi se komuniteti LGBT vazhdon të përballet me diskriminimim dhe shkallë të ultë të pranimit shoqëror.

XS
SM
MD
LG