Lidhje

Sally Buzbee jep dorëheqjen si kryeredaktore e gazetës “The Washington Post”


Stafi i gazetës "The Washington Post" feston marrjen e çmimit Pulitzer
Stafi i gazetës "The Washington Post" feston marrjen e çmimit Pulitzer

“The Washington Post” tha të dielën se kryeredaktorja, Sally Buzbee, ka dhënë dorëheqjen pas tre vitesh në krye të një prej gazetave më të njohura të botës.

Gazeta gjithashtu njoftoi se Matt Murray-t, ish-kryeredaktor i gazetës “The Wall Street Journal”, do ta zëvendësojë atë deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Më pas Robert Winnett, zëvendësredaktor i tanishëm i “Telegraph Media Group”, do të marrë postin e redaktorit ndërsa gazeta ristrukturon operacionet e saj.

Nuk është dhënë asnjë arsye për largimin e zonjës Buzbee. Në njotimin që tregonte se ajo po largohej nuk u përfshi asnjë deklaratë e saj. Zonja Buzbee nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Gazeta njoftoi se do të krijojë një sektor të ri në zyrën e lajmeve për abonentët që duan të paguajnë dhe konsumojnë lajmet në një mënyrë tjetër.

Zonja Buzbee, ish-kryeredaktorja e agjencisë së lajmeve “The Associated Press”, u zgjodh si kryeredaktore e “The Washington Post-it” në maj të vitit 2021. Ajo zëvendësoi paraardhësin e njohur, Martin Baron, pas rritjes së lartë të popullaritetit të gazetës gjatë administratës së ish Presidentit Trump.

Sally Buzbee ishte gruaja e parë që shërbeu në këtë pozitë. Ashtu si Jill Abramson, gruaja e parë kryeredaktore e gazetës “The New York Times”, mandati i saj ishte i shkurtër: zonja Abramson e mbajti atë pozitë nga viti 2011 deri më 2014.

Kjo periudhë vlerësohet të ketë qenë e rëndë në aspektin financiar për industrinë e lajmeve, përfshirë edhe gazetën “The Washington Post”. Numri i abonentëve ra ndjeshëm. Botuesi i ri, Will Lewis, u tha punonjësve muajin e kaluar se gazeta humbi 77 milionë dollarë vitin e kaluar.

Zoti Lewis u emërua në fund të vitit të kaluar duke zëvendësuar Fred Ryanin si botues i gazetës. Ai ka punuar më parë në gazetën “Wall Street Journal” dhe në “The Telegraph” në Angli.

Ai ka përmendur një plani abonimi me disa nivele për “The Washington Post”, të ngjashëm me atë të revistës “Politico”. Në një email dërguar punonjësve të dielën në mbrëmje, zoti Lewis tha se departamenti i ri do të përqëndrohet në më shumë lajme me video, do të shrytëzojë inteligjencën artificiale dhe do të ofrojë metoda të ndryshme pagese. Kjo, siç tha ai, do të fillojë në vjeshtë.

Gjatë një takimi të mëparshëm, “ne theksuam nevojën për t'u larguar nga qasja tradicionale në industrinë e lajmeve dhe për t’u përqëndruar në krijimin e lajmeve për një gamë më të gjerë lexuesish dhe klientësh”.

Në emailin e tij, zoti Lewis përmendi “tre redaksi”. Robert Winnett nuk do të marrë titullin e kryeredaktorit, por ai do të jetë përgjegjës për “fushat kryesore të mbulimit” në politikë, investigime, biznes, teknologji, sport. Ai ka drejtuar zyrën e lajmeve të gazetës “The Telegraph” që nga viti 2013.

Matt Murray do të marrë drejtimin e një departamenti të sapokrijuar duke filluar nga 6 nëntori, sipas Washington Post-it. . Askush nuk do të ketë titullin e kryeredaktorit: Murray, Winnett dhe David Shipley, që do të drejtojë “redaksinë e opinioneve”, do t'i raportojnë drejtpërdrejt botuesit Lewis, njotoi gazeta.

“Duke krijuar tre funksione të forta gazetarie ne po bëjmë një hap vendimtar larg qasjes ‘një format për të gjithë’, duke ia përshtatur botimin interesave të audiencës”, tha zoti Lewis.

“The Washington Post” fitoi tre çmime Pulitzer muajin e kaluar, duke përfshirë atë të serisë së shkrimeve mbi ndikimin e pushkës automatike “AR-15”.

XS
SM
MD
LG