Lidhje

Debate rreth mundësisë së rivendosjes së lirisë së lëvizjes së makinave në urën mbi lumin Ibër


Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, debatoi të premten me dyer të mbyllura rreth mundësisë për rivendosjen e lirisë së lëvizjes së makinave nëpër urën kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse me komunën e Mitrovicës së Jugut.

Aktualisht ura shfrytëzohet vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa ruhet nga forcat e policisë dhe ato të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Debate për hapjen e urës lumin Ibër për makinat
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Nënkryetari i kuvendit komunal, Nexhat Uglanin, tha se e mbështet hapjen e urës për bashkëjetesë ndërmjet dy komuniteteve.

“Prej Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kemi marrë asnjë letër, as nga Ministria e Pushtetit Lokal. Sigurisht siç e dini edhe ju në problemin e hapjes së urës është e përfshirë edhe bashkësia ndërkombëtare sepse është e pranishme. Sigurisht janë kompetenca të ministrisë së Brendshme dhe qeverisë nëpërmjet dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ne nuk kemi më tej të drejtë të diskutojmë këto çështje, ne e kemi marrë vendimin dhe hapat e konret duhet t’i ndërmarrë qeveria”, tha ai.

Debatet rreth hapjes së urës po zhvillohen mes reagimeve të partive politike serbe në këtë zonë dhe thirrjeve të Bashkimit Evropian që kjo çështje të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi në Bruksel.

Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi -Lista Serbe, tha një ditë më parë se hapja e urës është veprim tërësisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe përshkallëzues.

“I bëjmë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe përfaqësuesve të Brukselit që ta parandalojnë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin që të shkaktojë një krizë tjetër dhe të pengojnë planin e tij për të dëbuar serbët nga Kosova. Ju ftojmë për një reagim të menjëhershëm dhe që t'i tregoni publikisht regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”, thuhet në reagim.

Bashkimi Evropian tha sot se çdo veprim që prek të dy komunitetet duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

“Ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë tjetër. Ka pasur mjaft kriza tashmë dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt shtensionimit. Hapja e urës së Mitrovicës në fakt është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian nga viti 2015 dhe 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve tona lehtësuese, si Bashkim Evropian ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai theksoi se “hapat e njëanshëm dhe të pabashkërenduar e zhvendosin vëmendjen nga përparësia kryesore për të dyja palët që është zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve".

Edhe misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovë, në një përgjigje për Zërin e Amerikës kërkon që të gjitha veprimet rreth urës të trajtohen në “kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë edhe nëpërmjet përpjekjeve të KFOR-it”.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, vendosi për hapjen e kësaj ure në prill të vitit të kaluar.

Por vendimi nuk u zbatua edhe për shkak të tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë në maj të vitit të kaluar. Grupe qytetarësh serbë u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s me 29 maj të vitit të kaluar, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Që atëherë diplomacia perëndimore ka shtuar përpjekjet për t’i nxitur palët të zbatojnë një marrëveshje të arritur në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve mes shqetësimeve për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon.

NATO-ja shtoi praninë e trupave paqerujatëse në zonë pas incidentit të shtatorit të vitit të kaluar kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer të saj.

XS
SM
MD
LG