UASHINGTON – Presidenti amerikan Joe Biden u zotua në Ditën e të Rënëve se vendi do të vazhdojë veprën e tyre për një vend më të bashkuar, “për të cilin ata jetuan dhe për të cilin dhanë jetën”.
Duke mbajtur fjalimin në një ceremoni solemne përkujtimore në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, presidenti Biden tha se secila gjeneratë duhet të sigurohet që sakrifica e ushtarakëve të vendit nuk ishte e kotë.
“Liria nuk ka qenë kurrë e garantuar”, tha presidenti Biden nën qiellin gri mbi amfiteatrin e memorialit. “Çdo gjeneratë duhet që ta fitojë vetë, të luftojë për të, ta mbrojë në betejën mes autokracisë dhe demokracisë, mes makutërisë së pak personave dhe të drejtave të shumicës”.
Ai shtoi: “Në këtë ditë, u mblodhëm sërish për të reflektuar, për të kujtuar dhe mbi të gjitha për t’iu ripërkushtuar të ardhmes për të cilën ata luftuan, një të ardhmeje të bazuar tek liria, demokracia, mundësitë dhe barazia. Jo vetëm për disa, por për të gjithë”.
Përpara fillimit të ceremonisë, presidenti Biden, së bashku me nënpresidenten Kamala Harris dhe sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur.
Në fjalën e tij, presidenti Biden përmendi përvjetorin këtë javë të vdekjes së djalit të tij Beau, i cili shërbeu në Irak dhe më vonë vdiq nga kanceri në tru, për të cilin presidenti ka fajësuar periudhën që i biri shërbeu pranë vendeve ku digjeshin materialet toksike. Krahas ushtarakëve të vdekur, presidenti synon kështu të theksojë rëndësinë e nderimit të shërbimit edhe të ushtarakëve që janë kthyer në atdhe me lëndime.
“Vitin e kaluar, departamenti i Çështjeve të Veteranëve ofroi më shumë shërbime dhe përpunoi më shumë aplikime se kurrë ndonjëherë më parë në histori”, tha presidenti Biden duke vlerësuar për këtë meritat e ligjit që garanton mbulim automatik për disa probleme shëndetësore të veteranëve që mund të jenë si rezultat i shërbimit të tyre ushtarak. “Prej shumë kohësh pasi luftonin për vendin tonë, këtyre veteranëve u duhej të luftonin për të marrë mbulimin e duhur shëndetësor, për të marrë trajtimin të cilin e kishin fituar. Jo më”, tha presidenti.
Ditën e të Rënëve, presidenti Biden e filloi me organizimin e një mëngjesi në Shtëpinë e Bardhë për zyrtarët e administratës, drejtuesit ushtarakë, veteranët dhe anëtarët e familjeve të të rënëve, të njohura si familjet e Yllit të Artë.