Lidhje

Michael Cohen pranon se ka vjedhur nga organizata Trump


Një skicë nga dëshmia në gjyq e zotit Cohen
Një skicë nga dëshmia në gjyq e zotit Cohen

NJU JORK – Ish-avokati i Donald Trump-it Michael Cohen, pranoi të hënën përpara jurisë në gjyqin penal ndaj ish-presidentit se ka vjedhur me dhjetëra mijëra dollarë nga kompania e zotit Trump. Zoti Cohen e pranoi këtë ndërsa avokatët mbrojtës u përqëndruan tek shkeljet e tij, me qëllimin për të ngritur pikëpyetje rreth besueshmërisë së tij.

Avokatët e zotit Trump shpresojnë se një pranim i tillë nga zoti Cohen, krahas veprave të tij të shumta penale dhe gënjeshtrave në të kaluarën, do të mbjellin dyshime tek anëtarët e jurisë tek deponimi i bërë nga dëshmitari kyç i prokurorisë zoti Cohen, lidhur me përfshirjen e ish-presidentit në skemën e bërjes së pagesave përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Pala mbrojtëse e ka paraqitur zotin Cohen si një mashtrues tipik që po bën një fushatë hakmarrjeje ndaj zotit Trump.

I rikthyer në bankën e dëshmitarëve për të katërtën ditë dhe ndërsa po i drejtoheshin pyetje nga avokati mbrojtës Todd Blanche, zoti Cohen pranoi se pati përvetësuar një shumë prej 50 mijë dollarësh që zoti Cohen pretendonte se ia kishte paguar një firme teknologjie, të cilës kompania i detyrohej për disa shërbime.

Por zoti Cohen tha se i pati paguar realisht kësaj firme vetëm 20 mijë dollarë para të thata, të cilat i kishte mbështjellë në qese prej letre.

“Pra, vodhe nga Organizata Trump?”, e pyeti avokati Blanche, zotin Cohen

“Po, zotëri”, u përgjigj zoti Cohen duke shtuar se nuk ia kishte kthyer paratë organizatës. Ndaj zotit Cohen nuk janë ngritur ndonjëherë akuza për vjedhje nga kompania e zotit Trump.

Zoti Cohen është dëshmitari i fundit i prokurorisë dhe nuk është e qartë nëse avokatët mbrojtës do të thërrasin dëshmitarë, apo qoftë edhe vetë ish-presidentin Trump.

Pas gati katër javësh dëshmish rreth marrëdhënieve seksuale, pagesave dhe makinacioneve të revistave tabloide, apo detajeve të kontabilitetit të kompanisë së zotit Trump, anëtarët e jurisë mund të fillojnë ndoshta nga java e ardhshme të shqyrtojnë faktet për të vendosur nëse ish-presidenti është fajtor për 34 akuzat e ngritura ndaj tij për falsifikim të të dhënave të biznesit në gjyqin e parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan.

Akuzat bazohen tek dokumentacioni i brendshëm i Organizatës Trump, ku pagesat për zotin Cohen janë regjistruar si shpenzime ligjore. Prokurorët thonë se ato ishin realisht rimbursime për pagesat prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.

Ish-presidenti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm. Avokatët e tij thonë se nuk ka asnjë shkelje penale për marrëveshjen me zonjën Daniels, apo mënyrën se si është paguar zoti Cohen.

“Nuk ka vepër penale”, u tha zoti Trump gazetarëve pasi mbërriti në gjykatë të hënën. “Paguam shpenzime ligjore. A e dini se si regjistrohet? Si shpenzim ligjor”, tha ai.

Zoti Cohen është dëshmitari më i rëndësishëm i prokurorisë, por është edhe më i ekspozuar ndaj sulmeve.

Zotit Cohen i është hequr tashmë licenca e avokatit dhe ka pranuar se ka mashtruar në të kaluarën, pasi ishte betuar përpara ligjit për të thënë të vërtetën. Shumë prej këtyre gënjeshtrave në të kaluarën synonin të mbronin zotin Trump. Zoti Cohen vuajti dënim me burg pasi pranoi fajësinë për disa akuza federale, ndër të tjera edhe për mashtrimin e Kongresit dhe të një banke, si dhe për shkelje të legjislacionit për financimin e fushatave elektorale me pagesat e bëra përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Ai gjithashtu ka përfituar miliona dollarë nga publikimi i librave që kritikojnë ish-presidentin, të cilin vazhdon ta sulmojë rregullisht në mediat sociale, shpesh edhe me gjuhë ofenduese.

Zoti Cohen u tha anëtarëve të jurisë se zoti Trump ishte thellësisht i përfshirë me skemën për të paguar zonjën Daniels, për të shmangur bërjen publike të marrëdhënies seksuale me të, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ish-presidenti Trump thotë se nuk ka patur asnjë lloj marrëdhënieje seksuale me zonjën Daniels.

Zoti Cohen foli për takimet dhe bisedat me zotin Trump, ndër të tjera edhe për një bisedë të vitit 2017, gjatë së cilës ai vetë, zoti Trump dhe ish-kryefinancieri i Organizatës Trump, Allen Weisselberg diskutuan se si zoti Cohen do të rimbursohej për pagesën që kishte bërë me paret e veta për zonjën Daniels dhe se si ky rimbursimi do të klasifikohej si “shpenzim ligjore”.

Megjithëse njihet për mungesën e durimit, zoti Cohen qëndroi përgjithësisht i qetë në bankën e dëshmitarëve gjatë marrjes në pyetje nga avokatët mbrojtës për shkeljet e tij dhe për akuzat në lidhje me këtë çështje gjyqësore.

Një moment kyç u shfaq të enjten, kur avokati mbrojtës Todd Blanche e akuzoi zotin Cohen se kishte gënjyer për qëllimin e një telefonate me truprojën e zotit Trump, disa ditë përpara se zoti Cohen t’i transferonte 130 mijë dollarë avokatit të zonjës Daniels.

Michael Cohen
Michael Cohen

Zoti Cohen u tha anëtarëve të jurisë se gjatë asaj telefonate ai bisedoi me zotin Trump për pagesat në fjalë. Avokati Blanche iu kundërvu zotit Cohen duke paraqitur mesazhe telefonike që tregonin se zoti Cohen kishte qenë realisht duke biseduar me truprojën e zotit Trump në lidhje me disa telefonata kërcënuese ndaj tij të bëra nga një adoleshent.

“Kjo ishte një gënjeshtër. Atë natë nuk bisedove me presidentin Trump... E pranon këtë?”, e pyeti avokati Blanche.

“Jo, zotëri, nuk mund ta pranoj”, u përgjigj zoti Cohen, duke thënë se beson se foli me zotin Trump edhe për marrëveshjen për zonjën Daniels.

Avokatët e zotit Trump kanë thënë se mund të thërrasin të dëshmojë Bradley A. Smithin, një profesor i juridikut të cilin ish-presidenti Bill Clinton e pati emëruar në Komisionin Federal Zgjedhor (FEC). Mbrojtja synon të rrëzojë pretendimin e prokurorisë se pagesat janë bërë në shkelje të ligjeve për financimin e fushatave elektorale.

Gjykatësi Juan M. Merchan ka vendosur megjithatë kufizime për çështjet që do të mund të trajtonte gjatë dëshmisë së tij zoti Smith dhe për pasojë mbrojtja mund të mos e thërrasë atë si dëshmitar.

Ndaj ekspertëve që dëshmojnë për çështje ligjore vendosen shpesh kufizime të tilla, nisur nga premisat se i takon gjykatësit dhe jo një eksperti të thirrur nga njëra palë që të orientojë anëtarët e jurisë për legjislacionin që lidhet me çështjen në fjalë.

Gjykatësi Merchan ka vendosur që zoti Smith mund të japë informacion në lidhje me Komisionin Federal Zgjedhor, për ligjet që ky entitet ka përgjegjësinë të zbatojë, si dhe për përkufizimin e termave të tillë si “kontribute për fushatat zgjedhore”. Por, atij nuk i lejohet të interpretojë se si ligjet për financimin e fushatave zgjedhore lidhen me faktet e procesit gjyqësor ndaj zotit Trump, apo të japë ndonjë opinion, nëse veprimet për të cilat akuzohet ish-presidenti mund të kenë shkelur apo jo këto ligje.

XS
SM
MD
LG