Lidhje

A do ta besojë juria Michael Cohenin?


Michael Cohen ish avokat i ish-Presidentit Trump
Michael Cohen ish avokat i ish-Presidentit Trump

Në Nju Jork po vazhdon procesi gjyqësor penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Ish avokati i tij, Michael Cohen u rikthye në sallën e gjyqit sot, pasi dha një dëshmi prej gati 9 orësh ditën e martë. Ai është dëshmitari i fundit, por njëkohësisht edhe dëshmitari kyç i prokurorisë në çështjen në ngarkim të ish-Presidentit.

Në qendër të gjyqit ndaj ish Presidentit Trump është shuma prej 130,000 dollarësh, me të cilën Michael Cohen pagoi aktoren e filmave pornografikë Stormey Daniels, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar seksuale me zotin Trump.

Donald Trump akuzohet se falsifikoi të dhënat e biznesit gjatë rimbursimit të zotin Cohen në vitin 2017. Zoti Cohen e kishte paguar me fondet e tij zonjën Daniels. Rimbursim u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë së presidentit Trump.

Marrja në pyetje e zotit Cohen paraqet një moment kyç për avokatët mbrojtës të zotit Trump, sepse duhet të bindin anëtarët e jurisë se ai nuk duhet besuar. Deri më tani, mbrojtja ka argumentuar se synimi i zotit Cohen është të hakmerret ndaj ish-presidentit dhe se është i gatshëm të thotë gjithshka vetëm e vetëm që zoti Trump të shkojë pas hekurave.

Të martën zoti Cohen tha se ai i dëshiron që zoti Trump të dënohet.

Në dëshmi, ndër të tjera, ai u shpreh se ish presidenti ishte i zemëruar për faktin që ish-aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels, po përpiqej ta shiste në vitin 2016 historinë e saj, mbi një takim të dyshuar seksual me të. Zoti Cohen tha se zoti Trump i kishte thënë se, nëse historia bëhej publike, do t'i shkaktonte një dëm serioz fushatës së tij për t'u zgjedhur.

Akuza thotë se mashtrimi me të dhënat e biznesit nga ana e zotit Trump për rimbursimin që i bëri ish avokatit Cohen synonte të ndikonte fushatën zgjedhore dhe përbën krim penal.

Kjo është java e katërt e procesit. Megjithatë ka ende 2 pikëpyetje të mëdha. Së pari nëse zoti Trump do të dëshmojë për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka thënë se dëshiron të dalë si dëshmitar, por nuk dihet nëse do ta bëjë vërtet këtë. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse mbrojtja do të sjellë ndonjë dëshmitar dhe sa mund të sjellë.

Ish Presidenti ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me aktoren Daniels dhe po ashtu është shprehur i pafajshëm për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje lirie.

Gjyqi ndaj tij po shkon drejt fundit dhe procesi ka një rëndësi të madhe politike duke marrë parasysh se zoti Trump pritet të jetë i emëruari i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të 2024.

XS
SM
MD
LG