Lidhje

Kurti: Të mos ngatërrohen anëtarësimi në Këshillin e Evropës me procesin e normalizimit me Serbinë


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin.

Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria

Tre javë më parë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave. Edhe në këtë rast, Kosova duhet të sigurojë votat e dy të tretave të vendeve anëtare që marrin pjesë në votim.

Kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë nga mbledhja e ministrave të Këshillit të Evropës ende mbetet e paqartë nëse votimi për Kosovën do të përfshihet në rend dite.

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Emannuel Macron dhe Olaf Scholz i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, siç thuhet, hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas komunikatës së qeverisë, kryeministri Kurti ka theksuar se neni 7 i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit nuk mund të nxirret nga pakoja dhe nuk duhet të vendoset si përparësi dhe në qendër. Ai tha se është konfirmuar se Kosova plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

“Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti duke u bërë thirrje vendeve të Quintit që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në përputhje me vlerësimet e vet organizatës.

Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e "Quint-it", siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.

Në projektstatutin e hartuar nga diplomatët perëndimorë thuhet se ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.

Diplomatët presin që autoritetet në Prishtinë ta dërgojnë projektstatutin në Gjykatën Kushtetuese dhe për ta bërë këtë, ai duhet të miratohet nga qeveria dhe të shndërrohet në dokument juridik të shqyrtueshëm nga Gjykata.

XS
SM
MD
LG