Lidhje

Shqetësime mbi përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë


3 maji - dita botërore e lirisë së shtypit, këtë vit në Kosovë po shënohet mes shqetësimeve rreth rënies që ka regjistruar vendi në matjet e organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit.

Asociacioni i Gazetarëve vlerëson se rënia në renditje e Kosovës për 19 vende në raportin e këtij viti të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, shënon kthim prapa dhe përkeqësimin më të rëndë të lirisë së medias në vitet e fundit.

“Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë, për shkak të asaj që kemi përjetuar vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në forma të ndryshme në këtë rënie”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Gjatë një veprimtarie në Prishtinë në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, zoti Rexha tha se disa nga shkaqet kryesore për këtë situatë janë fushatat e vazhdueshme të zyrtarëve publik kundër mediave dhe përpjekjet e qeverisë vitin e kaluar për të mbyllur televizionin Klan Kosova.

“Kjo ndjenjë e klimës së rënduar të të bërit gazetari në Kosovë shpresoj të mos i dekurajoj gjeneratat e reja të gazetarëve të cilët janë të gatshëm që ta bëjnë punën e tyre. Është absolutisht në dorën e qeverisë që ta përmirësoj këtë renditje”, tha ai.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se rënia në renditjen e organizatës Reporterët Pa Kufij, është pasojë e sulmeve ndaj gazetarëve gjatë vitit të kaluar në veri nga siç tha “bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë”.

Ndërkaq lidhur me rastin e Klan Kosovës, ai tha se raporti e përshkruan kërkesën e qeverisë për llogaridhënie ligjore mbi dokumentet e regjistrimit të televizionit si “ngacmim administrativ”. “Pas denoncimit publik, Klan Kosova ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar”, shkroi zoti Kryeziu në një postim në rrjete sociale.

Partitë opozitare në Kosovë, shprehën shqetësimin me siç thanë trysninë e qeverisë ndaj medias dhe gazetarëve, duke e vlerësuar atë si kërcënim në rritje për lirinë e shtypit.

“Këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike. Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë e shtetit tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi në një postim në rrjete sociale.

“Ky raport na ka rikthyer në një korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe mediave. Ky nuk është thjeshtë një sinjal përkeqësues, është një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve”, thuhet në reagimin me shkrim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport vuri theksin te shkalla shqetësuese siç tha e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Nuk ka dyshim se gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit kemi parë një rritje shqetësuese të dhunës ndaj gazetarëve. Janë regjistruar 74 raste të sulmeve fizike, kërcënimeve ose fushatave që targetojnë gazetarët, me disa raste specifike të kqija ndaj gazetareve gra. Por gjithashtu kemi parë një rritje të raportimit të rasteve të ushtrimit të trysnisë nga zyrtarët publikë, që rrezikon të shkaktojë vetcenzurim dhe minim të lirisë së shtypit”, tha zoti Davenport.

Muajin e kaluar edhe organizata “Freedom House” në raportin për lirinë e medias tha se “pavarësisht që Kosova ka një mjedis të larmishëm mediatik, në përgjithësi liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar”, duke theksuar se shumë media “hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për qeverinë”.

XS
SM
MD
LG