Lidhje

Ekspozita “Ukraina: një krim lufte”, sjell në Prishtinë dëshmi mbi agresionin rus në Ukrainë


Brendan Hoffman, një fotoreporter amerikan i cili zhvillon veprimtarinë e tij në Ukrainë që nga viti 2014, ishte në banesën e tij në Kiev me 24 shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

“Në atë kohë po punoja për gazetën New York Times, ku jam i angazhuar shumicën e kohës edhe tani. Atë ditë isha në banesë me gruan time dhe u zgjuam në orën pesë të mëngjesit pas zhurmave të shpërthimeve që dëgjoheshin prej aty”, rrëfen ai.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ai tregon se në ditën e dytë të luftës bashkë me gruan e cila ishte shtatzënë, u larguan për në Poloni ku lindi djali i tyre në muajin qershor. Pas disa javësh, ata u kthyen në Ukrainë me synim dokumentimin e krimeve të luftës.

“Sepse Ukraina është shtëpia jonë, ka punë shumë të rëndësishme për t’u bërë atje dhe ne kemi dashur të jemi pjesë e kësaj periudhe të historisë së Ukrainës, pavarësisht se sa e vështirë dhe e dhimbshme që është”, thotë ai.

Disa nga fotografitë e tij janë sot pjesë e ekpozitës “Ukraina: një krim lufte”, e cila u hap të hënën mbrëma në Prishtinë. Mbi 90 fotografë nga Ukraina dhe jo vetëm kanë kontribuar në përmbajtjen e kësaj ekspozite dhe librit me të njejtin titull, publikuar nga shtëpia botuese “Fotoevidence” me mbështetjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur.

“Për mua kjo vazhdon të jetë një përpjekje shumë e rëndësishme sepse e kemi parë tani se si vëmendja e botës tani është zhvendosur me zhvillimet në Gazë, me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe të tjera. Por kjo nuk do të thotë që asgjë me rëndësi historike nuk po ndodh tani në Ukrainë. Unë jam ende plot vullnet për t’u siguruar se gjithë çfarë po ndodhë të regjistrohet e dokumentohet, nëse jo për gazetën e nesërme atëherë për historinë. Këto janë zhvillime të rëndësishme në historinë botërore dhe është thelbësore që të kemi sa më shumë fotografë që kryejnë një punë të tillë”, thotë zoti Hoffman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se hapja e kësaj ekspozite në Prishtinë është shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës.

“Së pari është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik që respekton dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet në dispozicion. Kjo sepse sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë, është sulm i perandorisë me nostaligji paramoderne kundër republikës me orientim evropian modern. Lufta në Ukrainë pra nuk është një çështje thjeshtë mes dy shteteve, ajo ka implikime për gjithë botën”, tha ai.

Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, Kosova është rreshtuar përkrah aleatëve duke u bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës sikurse pjesa tjetër e vendeve të rajonit, përveç Serbisë.

Në kuadër të programit “gazetarët në rezidencë”, Kosova ka strehuar deri tani 18 gazetarë ukrainas. Ndërsa po shihnin fotografitë e ekspozitës, disa prej tyre i thanë Zërit të Amerikës se ato përcjellin shumë dhimbje dhe brenga për fatin e Ukrainës.

“Na mungon shumë vendlindja jonë dhe sot po shoh fotografi të ndryshme nga pjesë të ndryshme të saj që tregojnë se si Rusia po e shkatërron vendin tim. Është shumë e tmerrshme por ky është realiteti që po ndodh në shekullin 21, në mes te Evropës dhe gjithë bota përreth vetëm po shikon ndërsa po ndodh ky shkatërrim. Ndjej një gropë të madhe të zezë në zemrën time sepse kam shumë dhimbje për Ukrainën, e dua shumë vendin tim”, thotë Tetiana Kraselnykova.

“Këto fotografi përcjellin emocione shumë të forta dhe brengosem shumë sepse është dhimbja e atdheut tim, është dhimbja e familjes time dhe dhimbja ime”, thotë Ludmilla Makey.

Veprimtaritë e tilla, thonë ato, janë shumë të rëndësishme për të hedhur dritë mbi të vërtetën e luftës që siç thonë po shtrembërohet nga ana e Rusisë.

“Është shumë e rëndësishme sepse propaganda ruse posaçërisht në rajonin e Ballkanit është shumë e fuqishme, ne e ndiejmë ndikim e saj tani në Kosovë. Prandaj kjo ekspozitë është zëri i Ukrainës dhe bota nuk duhet ta harrojë apo ta lërë anash Ukrainën dhe gjenocidin që po ndodhë atje”, thotë zonja Makey.

“Shumica e këtyre fotografive shpërfaqin njerëzit duke vuajtur e me lot në sy dhe pa shpresë. Por ne ende kemi shpresa për fitore sepse populli ukrainas është shumë i fortë, janë njerëz shumë punëtorë, të dashur dhe të sinqertë. Këtu gjithashtu mund të shohim se ukrainasit janë të guximshëm dhe duan ta mbrojnë tokën e tyre”, thotë zonja Kraselnykova.

Ekspozita “Ukraina: Një krim lufte” para Prishtinës ku do të qëndroj e hapur deri më 17 maj, u shfaq edhe në Tiranë. Ndalesat e radhës sipas organizatorëve do të jenë në në Shkup, Beograd dhe Sofje.

XS
SM
MD
LG