Lidhje

Një në katër amerikanë thonë se nuk do të mund të dalin në pension


Rreth një e katërta e amerikanëve në moshën mbi 50 vjeç, të cilët nuk kanë dalë ende në pension, thonë se mund të mos ta kenë kurrë këtë mundësi. Nga një anketim i organizatës AARP mësohet gjithashtu se 70% e tyre janë të shqetësuar nga rritja më e shpejtë e çmimeve, përkundër rritjes së pagave.

Gati 1 në 4 prej tyre nuk kanë fare kursime për një fond pensioni, thuhet në studimin e publikuar nga organizata AARP, që tregon se si amerikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar se si do të përmbushin nevojat e tyre ekonomike, megjithëse ndërkohë ekonomistët dhe politikë-bërësit thonë se ekonomia amerikane ka arritur të përballojë pa pasoja të rënda dy vite inflacioni rekord.

Shpenzimet e përditshme dhe kostoja e strehimit janë arsyet kryesore përse amerikanët nuk munden të kursejnë për pensionin.

Këto të dhëna marrin rëndësi këtë vit ndërsa presidenti demokrat Joe Biden dhe rivali republikan Donald Trump po përpiqen të fitojnë mbështetjen e amerikanëve në moshë më të vjetër, të cilët tradicionalisht marrin pjesë më shumë në votime.

Shpenzimet e përditshme nuk lënë hapësira për kursime

Anketimi i organizatës AARP u drejtoi pyetje 8 mijë personave dhe u bë në koordinim me Qendrën NORC për Çështjet Publike. Sipas rezultateve të anketimit, një e treta e personave në moshë madhore kanë shuma të pashlyera në kartat e kreditit mbi 10 mijë dollarë dhe 12% e tyre kanë borxhe mbi 20 mijë dollarë. 37% kanë shqetësimin nëse do të munden të plotësojnë shpenzimet bazë të jetesës, si ushqimi dhe strehimi.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, votuesit e moshës mbi 65 vjeç përbëjnë rreth 30.4% të të gjithë votuesve, ndërsa e ashtuquajtura gjenerata Z (të lindurit deri në mesin e viteve 2000) dhe gjenerata e mijëvjeçarit (të lindurit deri përpara viteve 2000) janë rreth 11.7% e votuesve.

Presidenti Biden është përpjekur të tërheqë votuesit më të vjetër duke u shprehur në favor të vendosjes së një çmimi tavan prej 35 dollarësh për insulinën dhe dhënien e autoritetit programit të sigurimit shëndetësor ‘Medicare’ për të negociuar drejtpërsëdrejti me kompanitë prodhuese për çmimet e ilaçeve me recetë.

Ish-presidenti Trump, gjatë një interviste në muajin mars me kanalin televiziv CNBC, sinjalizoi se mund të ishte i hapur ndaj shkurtimeve të buxhetit të programit të sigurimeve shoqërore ‘Social Security’ dhe atij të sigurimit shëndetësor ‘Medicare’.

Karoline Leavitt, sekretare për shtypin e fushatës elektorale Trump, tha të martën në një deklaratë për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ se zoti Trump “do të vazhdojë të mbrojë fuqishëm shërbimet e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor gjatë mandatit të tij të dytë”, siç u shpreh ajo.

XS
SM
MD
LG