Lidhje

Kalifornia, masa të reja për mbrojtje të politikave nga administrata Trump 


Election 2024 California New Citizen Voters
Election 2024 California New Citizen Voters

Kalifornia po ndërmerr hapat e para për të mbrojtur politikat progresive të këtij shteti nga sfidat në nivel federal që pritet të krijohen nga administrata e re që merr detyrën në janar. Siç njofton nga Sakramento korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, gjatë mandatit të parë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, Kalifornia ngriti padi të shumta ndaj qeverisë federale për të ruajtur politikat e saj.

Kalifornia, masa të reja për mbrojtje të politikave nga administrata Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Ligjvënësit e Kalifornisë u mblodhën në fillim të muajit në kryeqytetin e këtij shteti, në Sakramento, në një seancë emergjente për të mbrojtur politikat shtetërore nga sfidat e pritshme nga administrata e re Trump.

Kryetari i asamblesë Robert Rivas tha se duhet të përgatiten për sfida ligjore me qeverinë federale.

“Nëse sulmohet komuniteti LGBTQ, nëse vendosen në objektiv punëtorët emigrantë, nëse rrezikohen të drejtat e grave për riprodhimin, ne do të luftojmë me gjithçka kemi”, tha kryetari i asamblesë Rivas.

Gjatë presidencës së parë Trump, Kalifornia ngriti mbi 120 padi ndaj administratës, duke mbrojtur me sukses politikat për emigracionin në këtë shtet, standartet për ndotjen nga automjetet dhe qasjen tek sistemi i kujdesit shëndetësor.

Gjatë fushatës, zoti Trump u zotua sërish se do t’i heqë Kalifornisë kompetencat për të vendosur rregulla për ndotjen nga automjetet, dhe se do të deportojë të gjithë emigrantët pa dokumenta. Ai gjithashtu kërcënoi se do të bllokojë fondet për emergjencat nëse ky shtet u reziston politikave federale.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili kërkoi mbledhjen e asamblesë, ka paraqitur kërkesën edhe për 25 milionë dollarë shtesë për shpenzimet juridike.

Sade Elhawary është një ligjvënëse e re e zgjedhur në asamblenë e Kalifornisë.

“Është vërtet e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u përgatitur për atë që do të jetë një betejë e madhe ligjore. Njëkohësisht duhet të balancojmë nevojën për këto beteja ligjore me prioritetet e nevojshme për të mbështetur nevojat e përditshme të komuniteteve tona, si strehimi”, tha ligjvënësja Elhawary.

Fondi i propozuar ligjor vjen në një moment kur Kalifornia përballet me një defiçit në rritje buxhetor dhe frikën se mund të përkeqësohet ekonomia e këtij shteti me administratën e ardhshme Trump.

Sidoqoftë, shumica demokrate në asamble pritet të mbështesë gjerësisht mbrojtjen e vlerave progresive në këtë shtet.

Nga ana tjetër, drejtuesi i pakicës republikane, James Gallagher, thotë se përgatitja për ta luftuar qeverinë federale është një përqasje e gabuar.

“I dërgova një letër Presidentit Trump ku i thashë se ka shumë njerëz në Kaliforni, dhe zyrtarë të zgjedhur, që dëshirojnë të punojnë me ju, në veçanti në fushat e mbrojtjes së jetës së egër, burimet ujore, strehimin dhe kostot e energjisë”, tha ligjvënësi Gallagher.

Përpara godinës së asamblesë, marshonin demonstruesit që kërkonin të tërhiqnin vëmendjen tek deportimet në masë të propozuara nga Presidenti i zgjedhur Trump. Kalifornia vlerësohet se ka rreth 1.8 milionë emigrantë pa dokumenta dhe renditet ndër shtetet që kanë deklaruar në të kaluarën se nuk do të bashkëpunojnë me autoritetet federale për deportimet.

Ligjvënësi republikan Bill Essayli thotë se kjo nuk duhet të vazhdojë.

“Siguria e kufirit, politika e emigracionit, nuk janë çështje të nivelit të shtetit. Nuk mund të kemi 50 shtete, secili me politika të veçanta në Shtetet e Bashkuara. Duhet të kemi një politikë”, tha ligjvënësi Essayli.

Mundësia që shtetet t’i rezistojnë ushtrimit të tepruar të autoritetit federal është krijuar që me hartimin e Kushtetutës amerikane dhe synon të mbrojë shtetasit amerikanë, thotë David Carrillo, nga Shkolla Juridike Berkeley, në Universitetin e Kalifornisë.

“Në një kuptim, konflikti mes shtetit dhe qeverisë federale është një parametër i sistemit, jo një difekt. Është e pritshme dhe jo diçka që duhet shmangur domosdoshmërisht. Ndonjëherë është qeveria federale që të merr në mbrojtje dhe nganjëherë është shteti yt që shërben si mbrojtja e vetme nga qeveria federale. Të dyja këto situata janë shfaqur përgjatë historisë amerikane”, thotë profesor Carrillo.

Asambleja e Kalifornisë do të debatojë dhe do të votojë për masat e emergjencës përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar.

XS
SM
MD
LG