Lidhje

Dëshpërimi i bën meshkujt e rinj amerikanë më konservatorë


AMSTERDAM – Një anketë e madhe globale që u publikua të premten tregon një rritje të dëshpërimit dhe zhgënjimit me politikën e institucionalizuar, sidomos tek meshkuj e rinj amerikanë, i vetmi grup në popullatën amerikane që është bërë më konservator gjatë dekadës së fundit.

Studimi i kryer nga agjencia ndërkombëtare e hulumtimeve Glocalities, që iu dha agjencisë së lajmeve Reuters, ofron kontekst për zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane në nëntor dhe për një mori garash zgjedhore nëpër botë, përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që mbahen në qershor.

Anketa kërkon nga anketuesit të shprehen për shkallën e optimizmit, duke zgjedhur mes “shpresës” dhe “dëshpërimit” dhe në një pyetje tjetër mes “kontrollit” dhe “lirisë”, apo me fjalë të tjera mes qëndrimit konservator dhe liberal.

Marrë në përgjithësi, bota është bërë më liberale në periudhën mes vitit 2014 dhe 2023, përkundër faktit që është bërë më pesimiste, bazuar në mbi 300,000 anketa në 20 shtete që përfaqësojnë afro 60 për qind të popullatës botërore.

Të rinjtë gjithandej nëpër botë ndihen veçanërisht të dëshpëruar nga shoqëria, thotë Martijn Lampert, drejtuesi i zyrës së hulumtimeve në ‘Glocalities’, duke shtuar se “rritja e dëshpërimit tek të rinjtë në Amerikë është shumë më e madhe se rritja e dëshpërimit tek të rinjtë në shtetet e BE-së.”

Ajo që bie në sy më së shumti është fakti që meshkuj e rinj amerikanë ishin i vetmi grup në kuadër të popullatës së Shteteve të Bashkuara apo shtatë shteteve të Bashkimit Evropian që janë bërë më konservatorë që nga viti 2014 – apo, siç thuhet në anketë, që favorizojnë më shumë kontrollin se sa lirinë.

Në përgjithësi, 14,526 amerikanë janë anketuar gjatë periudhës mes vitit 2014 dhe vitit 2023, përfshirë 2,242 meshkuj të moshës 18-34.

Në mbarë botën, “ndjenja e pafuqisë, zhgënjimit shoqëror dhe rebelimit kundër vlerave kozmopolitane pjesërisht e përshkruajnë rritjen e popullaritetit të partive të djathta të krahut të ashpër, kundër institucionale,” thotë hulumtuesi Lampert, duke iu referuar zgjedhjeve në disa shtete evropiane.

Algoritmet e rrjeteve sociale po e amplifikojnë këtë dukuri duke tërhequr “meshkuj të rinj konservatorë të moderuar drejt figurave më ekstreme dhe më të ashpra në aspektin konservator dhe pikëpamjeve të tyre.”

Gratë e reja “grupi më liberal në histori”

Raporti gjithashtu nënvizon dallimin e theksuar ndërmjet të rinjve të dy gjinive në botë.

Të rinjtë dhe të rejat janë të shqetësuar për perspektivat e karrierës, sigurinë financiare dhe shkollimin, por ndërkohë meshkujt e grup moshës 18-24 tani janë grupi shoqëror më konservator, duke zëvendësuar ata të grup moshës 55-70. Gratë e grup moshës 18-24 janë më liberale dhe më kundër rendit patriarkal.

Në një shkallë ku numri 1 paraqet qëndrimin më konservator dhe 5 më liberal, gratë e grup moshës 18-14 nga gjithë bota lëvizën nga vlera numerike 3.55 në vitin 2014 në 3.78 në vitin 2023 – dyja këto vlerat më të larta nga secila grup moshë tjetër.

Meshkujt nga kjo grup moshë lëvizën nga 3.29 në 3.36. Ndërkaq në Shtetet e Bashkuara, meshkujt e grup moshës 18-34 u bën më pak liberal, nga 3.48 në 3.46.

“Globalisht, gratë e reja ka gjasa të jenë grupi më liberal në historinë e njerëzimit,” sipas raportit.

Gratë e reja janë të shqetësuara mbi të gjitha për çështjet shoqërore siç është keqtrajtimi seksual, dhuna në familje, abuzimi dhe moskujdesi ndaj fëmijëve.

Burrat e rinj janë më të preokupuar me arritjen e statusit shoqëror dhe ekonomik dhe vlerat konservatore të familjes, konkurrencës, guximit dhe nderit.

Raporti ofron një farë optimizmi – burrat dhe gratë mbi moshën 55 vjeçare në tërë botën, janë grupet e vetme që përgjithësisht janë bërë më optimist dhe më liberal përgjatë kësaj dekade.

Anketa është bërë në Australi, Belgjikë, Brazik, Kanada, Kinë, Francë, Gjermani, Indi, Itali, Japoni, Meksikë, Holandë, Poloni, Rusi, Afrikë të Jugut, Kore të Jugut, Spanjë, Turqi, Britani dhe Shtetet të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG