Lidhje

Anketa: Pavarësisht polarizimit, amerikanët ndajnë të njejtat vlera themelore


FILE - Visitors walk outside of the U.S. Capitol, March 19, 2024, in Washington.
FILE - Visitors walk outside of the U.S. Capitol, March 19, 2024, in Washington.

Pavarësisht polarizimit të thellë politik në SHBA, shumica e banorëve ndajnë të njëjtat vlera themelore për atë se çfarë do të thotë të jesh amerikan, sipas një sondazhi të ri.

Anketimi i kryer nga Associated Press dhe Qendra për Çështjet Publike NORC tregon se rreth 9 në 10 amerikanë thonë se e drejta për të votuar, e drejta për mbrojtje të barabartë nga ligji dhe e drejta për privatësi janë jashtëzakonisht të rëndësishme ose shumë të rëndësishme për identitetin e Shteteve të Bashkuara si vend. Anketimi zbuloi gjithashtu se 84% e amerikanëve mbështesin lirinë e fesë.

Rezultatet e anketimit kanë mospërputhje të vogla midis republikanëve dhe demokratëve, përveç të drejtës për të mbajtur armë, të cilën republikanët e shohin si thelbësore për identitetin e vendit. Gjetjet e përgjithshme janë befasuese sepse ato vijnë në një kohë të polarizimit ekstrem partiak, marrëveshjeve të rralla dypartiake dhe shqetësimeve në rritje mbi potencialin për dhunë në këtë vit zgjedhjesh presidenciale.

"Nëse mblidhni një grup njerëzish të zakonshëm në një dhomë dhe i pyesni për çështje të ndryshme, do të gjeni se ata janë dakord për një numër më të madh çështjesh se sa ç’mund ta mendoni", thotë Michael Albertus, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos.

Një vlerësim më pesimist, u pasqyrua në një çështje tjetër, ku vetëm rreth 3 në 10 amerikanë besojnë se demokracia po funksionon mirë. Rreth gjysma thonë se Amerika është një demokraci që funksionon dobët, ndërsa 14% thonë se ajo nuk është demokraci.

Tensioni midis konsensusit të gjerë mbi vlerat themelore të vendit dhe pakënaqësisë me mënyrën se si funksionon qeverisja nuk është befasues, thonë ekspertët.

"Një pjesë e problemit është se udhëheqësit tanë nuk po reflektojnë elektoratin dhe ata sillen në mënyrë shumë më polarizuese sesa elektorati’", thotë Lilliana Mason, profesore e shkencave politike në Universitetin Johns Hopkins.

Shumica e amerikanëve, thotë ajo, "janë mjaft të moderuar, por ata shtyhen të urrejnë njerëzit e partisë tjetër, me argumentin se pala tjetër është e ndryshme nga pikëpamja kulturore, racore dhe fetare".

Sondazhi i Associated Press dhe NORC tregon gjithashtu se ka një marrëveshje të gjerë mes amerikanëve mbi rëndësinë e disa vlerave thelbësore për identitetin e Shteteve të Bashkuara. Rreth tre të katërtat e të rriturve pajtohen se një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike është jashtëzakonisht ose shumë e rëndësishme, dhe rreth 8 në 10 amerikanë kanë të njëjtin mendim për mundësitë e njerëzve për të gjetur punë të mira dhe për të realizuar ëndrrën amerikane.

Por ka një dallim se çfarë nënkuptohet me arritjen e kësaj ëndrre dhe cilat janë vlerat më themelore të kulturës amerikane.

Demokratët, rreth 71% e tyre, krahasuar me 38% të republikanëve, besojnë se mundësia për të ardhur në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera të botës për t'i shpëtuar dhunës, ose për të gjetur mundësi ekonomike, është një nga vlerat bazë të identitetit të vendit. Rreth 58% e republikanëve mendojnë se një kulturë e bazuar në vlerat dhe besimet e krishtera është një karakteristikë thelbësore për vendin, krahasuar me vetëm 18% të demokratëve që mbështesin këtë pikëpamje.

Anketimi gjeti pak dallime në mendimet e amerikanëve mbi demokracinë si sistem në teori, por ai zbuloi një hendek të dukshëm mes amerikanëve të rinj të moshës 18 dhe 29 vjeç, të cilët janë më pak të prirur të besojnë se demokracia po funksionon dhe atyre të moshës 60 vjeç e lart, të cilët thonë se Amerika është një demokraci që funksionon mirë. Ata gjithashtu kanë më pak gjasa se amerikanët e moshës madhore të besojnë se disa karakteristika janë thelbësore për karakterin e Shteteve të Bashkuara si vend, duke përfshirë nevojën për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Rreth 6 në 10 të rinj të moshës 18 deri 29 vjeç e shohin këtë si të rëndësishme, krahasuar me rreth 9 në 10 amerikanë të moshës 60 vjeç e lart.

Howard Lavine, profesor i shkencave politike në Universitetin e Minesotës, thotë se ky dallim mes brezave është i kuptueshëm. Shumë të rinj nuk e mbajnë mend një kohë kur njerëz me pikëpamje të kundërta dhe me prejardhje të ndryshme politike mund të mblidheshin së bashku dhe "të vinin në shtëpinë tuaj". Ai vuri në dukje se pikëpamjet e tyre janë të ndikuara nga përvoja e viteve të polarizimit të lartë politik që filloi me zotin Trump.

XS
SM
MD
LG