Policia shqiptare tha sot se janë nga Pakistani 7 migrantët që kishin hyrë ilegalisht nga Greqia dhe humbën jetën në një aksident rrugor në zonë e Përmetit, në Jug të Shqipërisë, një ditë më parë.
Sipas policisë migrantët janë të moshave 28 deri në 32 vjeç dhe 3 prej tyre janë identifikuar.
Policia tha se ka identifikuar edhe 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit që transportonte migrantët nga kufiri jugor me Greqinë drejt Shkodrës, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.
Sipas policisë dy nga këta shtetas, banues në Shkodër, janë arrestuar , ndërsa personi i dyshuar si organizatori i kësaj veprimtarie kriminale është në kërkim.
24-vjeçari nga Shkodra, që po transportonte 7 migrantë të parregullt nuk iu bind kontrollit të një patrulle policore në segmentin Këlcyrë –Përmet, mëngjesin e 2 prillit. Ai ishte nisur për në Shkodër me një makinë që e kishte marrë me qera por u kthye pas me shpejtësi dhe nën ndjekjen e policisë makina meshpejëtsi të lartë humbi kontrollin dhe ra buzë lumit Vjosa.
Asnjë nga personat nuk i mbijetoi aksidenti dhe automjeti me trupat e pajetë u gjet pas dy orësh nga policia, ndërsa disa nga viktimat u gjetën brenda makinës tërësisht të shkatërruar dhe disa jashtë saj.
Ndërkohë për ngjarjen reagoi Avokati i Popullit, i cili tha përmes një deklarate se “ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima”.
“Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë", thuhet në deklaratë.
Sipas Avokatit të Popullit “kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin”.
“Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet”, thotë Avokati i Popullit.
“Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt” vijon deklarata.
Avokati i Popullit thotë se ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë.
“Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë, përfundon reagimin e tij Avokati i Popullit.