Lidhje

7 migrantë të parregullt dhe shoferi shqiptar humbin jetën në një aksident rrugor në jug të Shqipërisë


Pamje nga vendngjarja
Pamje nga vendngjarja

Shtatë migrantë të parregullt dhe shoferi shqiptar humbën jetën sot në një aksident rrugor në rrugën Përmet-Këlcyrë , në jug të Shqipërisë.

Makina ku udhëtonin migrantët po ndiqej nga policia dhe pasi humbi kontrollin, ra nga një lartësi e madhe në bregun e lumit Vjosa.

7 migrantë të parregullt dhe shoferi shqiptar humbin jetën në një aksident
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Autoritetet ende nuk kanë identifikuar kombësinë e migrantëve ndërsa shoferi ishte një 24-vjeçar, nga Shkodra.

Sipas të dhënave policore, migrantët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri grek në zonën pranë pikës kufitare të “Tre urave”, ku dhe më pas janë transportuar nga shoferi, një 24 vjeçar nga Shkodra, që e kishte marrë makinën me qera në këtë qytet.

Drejtori i Policisë së Gjirokastërs Ardian Cipa tha se gjatë rrugës nga Përmeti në Këlcyrë, automjeti është kthyer pas, me shpejtësi të lartë në momentin që ka hasur një patrullë policie, e cila i është vënë në ndjekje.

“Rreth orës 2:20 të datës 2 në afërsi të Këlcyrës, patrulla e policisë ka hasur një automjet i cili po vinte me një shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë në drejtim të qytetit të Përmetit. Patrulla e policisë me automjetin e vet është përpjekur që të marrë në kontroll vizual automjetin deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Rreth orës 4 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur në drejtim të Përmetit, ka marrë kontakte nga qytetarë të ndryshëm nëse kishin parë një automjet të tillë. Duke qenë se nuk kanë marrë informacione, ka filluar inspektimi i të gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi, policia ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas kanë mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa”, tha ai

Pamjet e makinës flasin për shkatërrimin e plotë të saj si pasojë e një rënie nga një lartësi mbi 150 metër. Disa nga trupat e viktimave janë gjetur rreth automjetit ndërsa trupat e tjerë janë nxjerrë pas disa orësh nga makina.

Prokurori i çështjes, Petrit Çano tha se ende nuk ishte vërtetuar kombësia e migrantëve që humbën jetën në aksident.

"Vetëm drejtuesi i automjetit është nga qyteti i Shkodrës, automjeti është dhënë me qira nga pikat e dhënies me qira. Pra nuk është pronari i mjetit. Të gjithë të tjerët janë persona nga vendet e treta. Nuk i kemi identifikuar dhe nuk i dimë cilave shtetësi i përkasin. Jemi duke pritur ekspertët mjekoligjorë për ekzaminimin e tyre. Pas identifikimit do të bashkëpunojmë me ambasadat përkatëse për të dërguar trupat e tyre", tha ai.

Prokurori Petrit Çano tha se nuk është thjesht një aksident, por ka ardhur si rrjedhojë e një ngjarje tjetër kriminale që lidhet me transportimin e migranëtve të parregullt.

"Nuk mund të themi se është thjesht një aksident. Kjo ka ardhur rrjedhojë e një ngjarje tjetër kriminale, atë të të transportit të personave që në mënyrë të paligjshme kalojnë kufirin shtetëror për të vijuar më pas në BE. Është kombinim i këtyre 2 veprave penale të cilat do i shikojmë në thellësi për të zbardhur dhe shkakun"

Incidenti i sotëm është më i rëndi me migrantë të huaj të parregullt në Shqipëri vitet e fundit.

Edhe më parë ka pasur humbje jete apo lëndime të migrantëve pasi kontrabandistët në të shumtën e rasteve nuk u ndalojën patrullave policore duke rrezikuar jetën e migrantëve.

Disa mijëra migrantë të huaj të parregullt kryesisht nga Siria, Afganistani, Pakistani dhe India kalojnë çdo vit kufirin grek për të hyrë tranzit në Shqpëri dhe udhëtuar drejt kufirit me Malin e Zi me destincion final vendet europaine

Një pjesë jo e vogël e tyre shfrytëzohen nga rrjetet e kontrabandistëve kundrejt fitimit për t'u siguruar transportin nga kufiri jugor drejt kufijve veriorë të Shqipërisë.

Gjatë viti të shkuar, numri i migrantëve të paregullt erdhi duke u ulur në më pak se nëntë mijë, ndikuar nga rënia e kalimeve në rrugën e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Agjencisë europiane të Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX prurja e mirantëve të parregullt në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2023 ishte 31 përqind më e ulët krahasuar me vitin 2022 .

Frontex është prej vitit 2019, pjesë e patrullimit të kufirit shqiptaro grek me policinë kufitare shqipatre me rrreth 162 efektivë.

XS
SM
MD
LG