Lidhje

Solidaritet me gazetarin amerikan të burgosur prej një viti në Rusi


Kolegët e zotit Evan Gershkovich thonë megjithëse gazetari amerikan po mbahet prej një viti në një burg famëkeq të Moskës, ai ka mbetur i fortë dhe nuk tregon shenja dëshpërimi. Autoritetet ruse e arrestuan zotin Gershkovich më 29 mars të vitit të kaluar me akuza për spiunazh. Akuzat janë hedhur poshtë nga ai dhe nga gazeta “The Wall Street Journal”, për të cilën ai punon, si dhe nga qeveria amerikane. Zoti Gershkovich është gazetari i parë amerikan që akuzohet për spiunazh prej arrestimit të Nicholas Daniloffit më 1986, në kulmin e Luftës së Ftohtë

Solidaritet me gazetarin amerikan të burgosur prej një viti në Rusi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00


Për gazetarin Evan Gershkovich, dhjetëra paraqitjet në gjykatën e Moskës gjatë vitit të kaluar ndjekin të njejtën rutinë.

Rojet e marrin gazetarin nga burgu famëkeq Lefortovo me një furgon për një udhëtim të shkurtër deri në gjykatë. Ai dërgohet me pranga në kafazin e të pandehurve përpara një gjyqtari për seancën e radhës në lidhje me paraburgimin e tij për akuzat për spiunazh.

Seancat janë gjithmonë të mbyllura. Apelet e tij gjithmonë refuzohen dhe koha e tij pas hekurave zgjatet gjithmonë. Pastaj kthehet në Lefortovo.

Më 26 mars ai u urdhërua të qëndronte i paraburgosur të paktën deri më 30 qershor, zgjatja e pestë e paraburgimit të tij.

Zoti Gershkovich u arrestua një vit më parë ndërsa ishte në një udhëtim për gazetën “The Wall Street Journal” në qytetin e Jekaterinburgut, në malet Urale. Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë, ose FSB, pretendon se ai po vepronte sipas urdhrave të SHBA-së për të mbledhur sekrete shtetërore, por nuk ka dhënë asnjë provë për të mbështetur akuzën, të cilën ai, media ku punon dhe qeveria amerikane e mohojnë. Uashingtoni e përcaktoi atë si të arrestuar padrejtësisht.

Seancat gjyqësore i japin zyrtarëve amerikanë, familjes dhe miqve të zotit Gershkovich një mundësi të shkurtër për ta parë, dhe për gazetarin 32-vjeçar, kjo është një shkëputje nga rutina e tij kryesisht monotone e burgut.

“Ai është i mbyllur në një qeli të vogël dhe ka vetëm një shok qelie. I lehohet vetëm një orë në ditë që mund të ecë në një oborr të vogël. Por pavarësisht rrethanave tepër të vështira, Evan-i mbahet i fortë. Ai është në gjendje të mirë shpirtërore”, thotë Pjotr Sauer, gazetar i gazetës britanike “The Guardian” dhe mik i zotit Gershkovich.

Familja dhe miqtë thonë gjithashtu se janë krenarë që pavarësisht “rrethanave tepër të vështira, Evan-i mbetet i fortë”.

Mbështetësit e tij thonë se kjo është e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se zoti Gershkovich po mbahet në Lefortovo, një burg famëkeq i epokës cariste, i përdorur gjatë spastrimeve të Stalinit, kur ekzekutimet kryheshin në bodrumin e tij.

Gazetarit amerikan nuk i lejohen telefonatat dhe lejohet të dalë nga qelia vetëm për një orë në ditë për të ecur. Pjesën tjetër të kohës ai e kalon kryesisht duke lexuar libra në anglisht dhe rusisht dhe duke shkruar letra për miqtë dhe familjen, të cilët përpiqen të sigurohen që ai të qëndrojë i informuar për çështjet aktuale.

“Ai qëndron aty duke buzëqeshur, me kokën lart dhe ne jemi shumë krenarë për të, se si po e përballon këtë situatë”, thotë nëna e gazetarit, Ella Milman.

“Evan-i në fakt më frymëzon të qëndroj i fortë, pozitiv, i sjellshëm me njerëzit dhe të ruaj shpresën”, shton babai i tij Mikhail Gershkovich.

Prindërit e gazetarit amerikan janë emigrantë rusë që u arratisen nga Bashkimi Sovjetik dhe tani jetojnë në Nju Xhersi. Zoti Gershkovich e nisi punën në Moskë në vitin 2017 duke shkruar për gazetën “The Moscow Times”, ndërsa në vitin 2022 u punësua nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”.

Ai iu përkushtua punës dhe u bë mik i ngushtë me gazetarët e tjerë, me të cilët kalonte mbrëmjet, fundjavat dhe pushimet, në sauna tradicionale ruse, duke ecur me biçikletë nëpër Moskë ose duke shkuar për piknik në ndonjë fshat.

Nga burgu, u ka dërguar dhurata miqve për ditëlindjet e tyre, ndërsa më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas arriti t’u dërgojë lule disa gratë të rëndësishme në jetën e tij.

“Ai është i njëjti mik ashtu siç e kujtojmë nga hera e fundit kur u pamë, para një viti. Ai bën të njëjtat shaka. Ai kalon shumë kohë duke menduar se si ndihemi. Shpenzon shumë kohë duke organizuar dërgimin e letrave, dhuratave për ditëlindje”, thotë shoqja e tij Poline Ivanova, gazetare e ‘Financial Times’.

Arrestimi i zotit Gershkovich një vit më parë shkaktoi tronditje. Ai është gazetari i parë amerikan i arrestuar me akuza për spiunazh që nga Nicholas Daniloff-i më 1986, në kulmin e Luftës së Ftohtë.

“Kjo është hera e parë që një gazetar, korrespondent i huaj i akredituar nga Ministria e Jashtme ruse, arrestohet në Rusi, që nga koha e Bashkimit Sovjetik,” thotë zonja Ivanova.

Administrata e Presidentit Joe Biden po kërkon lirimin e zotit Gershkovich, i cili nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me 20 vjet burg. Ministria e Jashtme e Rusisë ka treguar se është e gatshme ta shkëmbejë atë me një të burgosur rus, por vetëm pas një vendimi në gjyqin e tij, i cili ende nuk ka filluar.

Ambasadorja amerikane në Moskë Lynne Tracy, e cila ishte sërish e pranishme në gjykatë në seancën e tij të fundit, tha se akuzat kundër zotit Gershkovich “janë trillime” dhe se Rusia “po përdor qytetarët amerikanë si pengje për të arritur qëllime politike”.

Autoritetet ruse kanë arrestuar disa shtetas amerikanë dhe nga vende të tjera perëndimore, duke e forcuar këtë ide.

Presidenti Vladimir Putin ka lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për ta shkëmbyer zotin Gershkovich me një shtetas rus në Gjermani, që nga përshkrimi i dhënë besohet se bëhet fjalë për Vadim Krasikovin. Ai po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen në vitin 2019 në Berlin të një shtetasi gjeorgjian me origjinë çeçene.

Zyrtarët amerikanë bënë një ofertë për të shkëmbyer zotin Gershkovich vitin e kaluar, ofertë që u refuzua nga Rusia. Që nga ajo kohë administrata e Presidentit Biden nuk ka bërë publike asnjë detaj tjetër.

Miqtë e zotit Gershkovich në Moskë tani janë ndër avokatët më të zëshëm për lirimin e tij.

“Ne i kërkuam Shtëpisë së Bardhë që të shpenzojë më shumë kohë për t'u siguruar që Evan-i të lirohet. E di që ata kanë qenë në kontakt me palën ruse. Ne i inkurajojmë ata që të shpenzojnë më shumë kohë për këtë”, thotë miku i zotit Gershkovich, Pjotr Sauer, gazetar i “The Guardian”.

Negociatat për lirimin e gazetarit amerikan, Evan Gershkovich, sipas miqve të tij në Moskë, po ndikohen nga tensionet në rritje në mes të perëndimit dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, sulmit terrorist në një sallë koncertesh në Moskë dhe zgjedhjet presidenciale amerikane.

Megjithatë, ata shpresojnë se viti 2024 mund të jetë viti që zoti Gershkovich të lirohet.

XS
SM
MD
LG