Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për t’u siguruar që ngjarjet “e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë”, të mos përsëriten kurrë më.
Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, në prag të shënimit të 25 vjetorit të nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, që shënoi edhe fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
“Përdorimi i forcës në këtë rast ishte edhe i domosdoshëm edhe i ligjshëm, duke marrë parasysh krizën humanitare që po shpërfaqej para botës në kohë reale. Siç e përshkroi edhe presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, ‘ne vepruam për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm të Kosovës nga një sulm ushtarak në rritje, vepruam për të parandaluar një luftë më të gjerë, vepruam për të qëndruar krah aleatëve tanë për paqe’”, tha ai.
Njëzet e pesë vjet më parë NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe. Fushata nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
“Dua të theksoj përkushtimin tonë për tu siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë, të mos përsëriten kurrë më. Mbesim të përkushtuar për të mbështetur rolin e misionit të NATO-s në Kosovë për qëndrueshmëri. E njohim dhe jemi falënderues për gjithë sakrificën dhe përkushtimin e KFOR-it në Kosovë përgjatë këtyre 25 viteve”, tha ambasadori Hovenier.
Më 9 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa më 12 qershor trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të jenë të larta.
Pas tensioneve të vitit të kaluar, NATO-ja vendosi rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë, ndërsa diplomacia perëndimore po vazhdon përpjekjet për të shtyrë palët të zbatojnë zotimet nga marrëveshja për normalizim, mes shqetësimeve mbi mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Hovenier, tha se pret nga qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me Uashingtonin dhe të zbatojë të gjitha detyrimet që ka marrë mbi vete në kuadër të bisedimeve.
“Kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, ndërsa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë të begatë shumetnike të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ambasadori Hovenier.