Pesë shtete po mbajnë të martën zgjedhje paraprake presidenciale, ndërsa Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump vazhdojnë fushatën në të gjithë vendin, pasi kanë siguruar numrat e duhur të delegatëve për emërimin zyrtar nga partitë e tyre.
Zoti Trump pritet të fitojë lehtësisht zgjedhjet brenda partisë republikane në Arizona, Florida, Ilinois, Kansas dhe Ohajo. E njëjta gjë parashikohet edhe për Presidentin Biden në të gjitha ato shtete, përveç Floridës, ku demokratët anuluan zgjedhjet paraprake dhe vendosën që të 224 delegatët e partisë së tyre të llogariten për zotin Biden. Ky nuk është një veprim i pazakontë për partinë nga radhët e së cilës është presidenti aktual i cili kërkon një mandat të dytë.
Ish-presidenti Trump dhe presidenti Biden janë përqendruar prej javësh tek zgjedhjet e përgjithshme, duke bërë fushatë në shtetet që mund të jenë vendimtare në nëntor dhe jo thjesht tek ato që mbajnë zgjedhjet paraprake.
Gjatë fundjavës zoti Trump mbajti një tubim në Ohajo, një shtet i cili prej disa vitesh ka votuar pro republikanëve. Por ka shenja se këtë vit ky shtet mund të jetë i lëkundur.
Ndërkohë, presidenti Biden do të vizitojë Nevadën dhe Arizonën të martën për të bërë fushatë, mes të tjerash për të bërë për vete votuesit hispanikë në këto dy shtete.
Të dy kandidatët po e cilësojnë njëri-tjetrin si kërcënim për Amerikën. Zoti Trump, 77 vjeç, e ka portretizuar 81-vjeçarin Biden si të paaftë mendërisht. Presidenti e ka përshkruar rivalin e tij republikan si një kërcënim për demokracinë pas përpjekjes së tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Zoti Trump përballet me disa sfida ligjore, përfshirë dhjetëra akuza penale dhe çështje civile, për të cilat ai thotë se janë të motivuara politikisht.