Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se qeveria është duke hartuar një plan dhjetë pikësh nëpërmjet të cilit synon të zbusë ndikimin që mund të ketë te qytetarët e komunitetit serb zbatimi i rregullores që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në para të gatshme.
Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një debati të organizuar nga Qendra për Dialog Humanitar rreth zhvillimit ekonomik për serbët në Kosovë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim e në ditët në vijim edhe qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masave me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj.
Diplomacia perëndimore kritikoi rreptë qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit, i cili nxiti reagimin e Beogradit që akuzoi qeverinë e Kosovës se po kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi sot se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti, por synon vetëm rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe atij të pagesave në vend.
Ai njoftoi se ka një kërkesë nga Brukseli që javën e ardhshme të mbahet një takim për të diskutuar rreth zhvillimeve që lidhen me zbatimin e këtij vendimi.
“Por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori sepse çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk do të jetë dikush nga ekipi i kryenegociatorit”, tha ai ndërsa akuzoi të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se në këtë ftesë i ka shkelur parimet e vendosura nga vet ai.
“Është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim paraprak me palët dhe është munduar edhe ta përcaktojë agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 se asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”, tha ai.
Partitë opozitare kritikuan qeverinë e Kosovës, se me zbatimin e këtij vendimi po rrezikon marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur Kosova vazhdon të jetë nën sanksione, në kohën kur Kosova më shumë se kurrë po i cenon çdo ditë e më shumë aleancat me partnerët e saj, vetëm të ketë koordinim dhe qartësi në rrugëtimin tonë euroatlantik”, tha Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Nuk është problemi që janë rrezikuar, problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë qenë më keq. Kjo është një temë që dihet, Kosova është nën sanksione përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trajtojnë Kosovën jo si partnere si përpara por si palë e diskutimeve”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore ishte pjesë e diskutimeve që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot gjatë një takimi me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, ambasadorët e Francës dhe Italisë, si dhe zëvendës ambasadorin e Gjermanisë.
Në një njoftim të zyrës së saj presidentja Osmani citohet të ketë thënë se ndonëse vendimi është kushtetues, suksesi në zbatimin e tij është i lidhur edhe me shkallën e bashkëpunimit me aleatët që kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës.