Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se nga nesër do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që periudha eventuale transitore të sigurojë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime. Mekanizmat e qeverisë që kanë për obligim zbatimin e kësaj rregullore do të përqendrohen në plotni që në këtë fazë transitore të investojnë më shumë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve dhe jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Rregullorja që lejon pagesat me para të gatshme në Kosovë të bëhen vetëm me euro ka nxitur shqetësimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb.
Diplomatët perëndimorë në Prishtinë i kërkuan Kosovës shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore derisa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet, mes shqetësimeve se vendimi mund të rrrisë sërish tensionet në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se për ta zbatuar këtë vendim në tërësi, Kosovës i duhet mbështetja e aleatëve.
“Sepse siç e dini, për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit sa herë i kemi aleatët në krah tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës tonë në tërësi”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se pret një pajtim mbi mënyrën e zbatimit të rregullores.
“Janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre le të themi në llogari të reja, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”, tha ajo.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.
“Në aranzhimin e këtyre modaliteteve ka shembuj nga e kaluara ku për shembull qeveria e Republikës së Kosovës ka dërguar mbështetje për komunën e Preshevës e pastaj Banka Qendrore e Serbisë me automatizëm ka konvertuar eurot në dinarë dhe i ka transferuar në llogarinë e komunës së Preshevës. Njësoj siç ka panumërt shembuj kur Republika e Serbisë dërgon pagesa në euro në vendet fqinje. Sa më shpejt të arrihet ky dakordim aq më i madh është kontributi i këtyre dy bankave qendrore në largimin e brengave eventuale”, tha ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha më herët gjatë ditës se institucioni që ai drejton është i gatshëm për bashkëpunim.
“Ne jemi të gatshëm si Bankë Qendrore që të ndihmojmë nëse kërkohet në aspektin teknik edhe në aranzhime të tjera të nevojshme me Bankën Qendrore të Serbisë. Pra ne si Banka Qendrore mund të shohim mundësitë se si të lehtësojmë këtë proces, sepse në fund të ditës këta janë qytetarë të Kosovës që nuk do të duhej jeta e tyre të ndikohej prej rregullimit të sistemit financiar të vendit, do të duhej vetëm të përmirësohej jeta e tyre”, tha ai.
Ai theksoi se përdorimi i monedhave të tjera përveç euros është i kundërligjshëm, duke nënvizuar se rregullorja nuk është kundër asnjë komuniteti, por në funksion të mbrojtjes së sistemi bankar nga kartmonedhat e falsifikuara, veprimtaritë që financojnë terrorizmin dhe pastrimi i parave.