Gjykatësi në pension Carl Erickson i rekomandoi bordit zgjedhor të Illinoit të largojë ish Presidenti amerikan Donald Trump nga fletëvotimi për zgjedhjet paraprake në këtë shtet, por tha se vendimin përfundimtar duhet ta marrin gjykatat. Ish gjykatësi argumentoi se zoti Trump duhet të hiqet nga fletëvotimi për shkak të përfshirjes së tij në trazirat e 6 janarit, 2021 gjatë sulmit ndaj Kapitolit.
Bordi shtetëror elektoral i Illinoit pritet të shqyrtojë rekomandimin të martën.
Avokatët e zotit Trump dhe qytetarët që kërkojnë ta largojnë nga fletëvotimi ish presidentin republikan paraqitën argumentet e tyre të premten para ish gjykatësit Erickson. Ish gjykatësi, që ka shërbyer për një kohë të gjatë si gjykatës qarku është republikan.
Përpjekja për ta hequr zotin Trump nga fletëvotimi për zgjedhjet në mars është e ngjashme me ato të disa shteteve të tjera. Gjykata e Lartë amerikane pritet t’i dëgjojë argumentet e palëve në muajin shkurt për vendimin historik të Gjykatës së Lartë të Kolorados, që e hoqi zotin Trump nga fletëvotimi në atë shtet.
Rasti paraqet herën e parë që gjykata e lartë shqyrton një nen të Amendamentit 14 të Kushtetutës, që ua ndalon atyre që “janë përfshirë në rebelim” të drejtën të ushtrojnë funksione në poste publike.
Rekomandimi 21 faqesh i ish gjykatësit Erickson arrin në përfundim se “mbizotërimi i provave” të paraqitura dëshmon se zoti Trump ishte i përfshirë në rebelimin e janarit.
Por ai tha se bordi elektoral nuk mund të bëjë “analizë kushtetuese të sofistikuar dhe kuptimplotë” që kërkohet për ta larguar emrin e zotit Trump para zgjedhjeve paraprake, që do të mbahen me 19 mars.
“Në përgjithësi, të provosh të zgjidhësh një çështje kushtetuese përbrenda afatit kohor të përshpejtuar para bordit elektoral është sikur të përpiqesh ta caktosh një ndeshje dy-minutëshe ndërmjet boksierëve të kategorisë së rëndë brenda një kabine telefonike”, shkruan ai.
Megjithatë, ish gjykatësi Erickson tha se edhe nëse bordi nuk pajtohet me logjikën e argumentimit të tij, emri i zotit Trump duhet të largohet nga fletëvotimi për zgjedhjet paraprake në Illinoi.
Bordi elektoral përbëhet nga katër demokratë dhe katër republikanë.
Grupi “Liri Shprehje për Njerëzit”, që paraqiti kërkesën për heqjen e emrit të zotit Trump, në fletëvotimin në Illinio, përshëndeti rekomandimin e ish gjykatësit republikan si “të rëndësishëm” por tha se ligji i Illinoit i jep bordit të drejtën të marrë vendim mbi fletëvotimin.
“Presim që bordi dhe gjykatat e Illinoit do të mbështesin analizën e matur të gjykatësit Erickson se përse zoti Trump nuk mund të jetë në listën e kandidatëve. Por, argumenti i ish gjykatësit duhet përmirësuar, pasi ligji i Illinoit i jep të drejtë bordit të marrë vendimin", deklaroi drejtori ligjor i grupit, Ron Fein.