Lidhje

Disa të plagosur nga një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme në shtetin e Ajovës


Pamje nga shkolla ku ndodhi sulmi me armë zjarri në shtetin e Ajovës/Reuters
Pamje nga shkolla ku ndodhi sulmi me armë zjarri në shtetin e Ajovës/Reuters

Forcat e rendit në qytetin Perry në shtetin e Ajovës njoftuan për disa të plagosur të enjten në një sulm me armë zjarri në shkollën e mesme të qytetit, në ditën e parë të shkollës pas përfundimit të festave të fundvitit.

Dy të plagosur janë dërguar për ndihmën e parë në spitalin e kryeqytetit De Moine, rreth 64 kilometra në juglindjen të qytetit Perry, një komunitet prej 8,000 banorësh. Sherifi Adam Infante tha se sulmi me armë u kryer para se të fillonte mësimi dhe pak nxënës dhe arsimtarë ishin të pranishëm në Shkollën e Mesme “Perry”.

I dyshuari vrau veten, sipas policisë.

Sulmi me armë ndodh ndërsa në Ajova po afrohen zgjedhjet paraprake. Jo shumë larg shkollës ku u krye sulmi, kandidatët republikanë për president kishin qënë për fushatë këto ditë.

Policia u njoftua për një person të armatosur në orën 7:37 të mëngjesit të së enjtes dhe forcat e rendit shkuan në vendin e ngjarjes shtatë minuta më vonë, sipas zotit Infante. Ai shtoi se policët kanë identifikuar disa njerëz të plagosur, por nuk arriti të konfirmonte se për sa bëhej fjalë dhe cila ishte gjendja e tyre. Një zëdhënës spitali konfirmoi njoftimet se dy të plagosurit ishin duke u dërguar për në spital.

Nxënësi Zander Shelley, 15 vjeç, ishte në korridorin e shkollës duke pritur fillimin e mësimit kur dëgjoi të shtënat dhe hyri brenda një klase, sipas babait të tij Kevin Shelley. Zander u strehua brenda klasës prej nga komunikoi me babain e tij në orën 7:36.

Nxënësja Rachael Kares, 18 vjeçe dhe maturante, tha se po bëhej gati për klasën e muzikës kur ajo dhe nxënësit e tjera të bandës muzikore dëgjuan ato që ajo i cilësoi si katër të shtëna, me pauza në mes tyre.

“Të gjithë kërcyem nga vendi,” tha ajo. “Mësuesja na shikoi dhe bërtiti ‘Ikni me nxitim!’ Dhe ne ikëm.”

Ajo dhe të tjerë nga shkolla vrapuan përtej fushës së futbollit ndërkohë që po dëgjonin britmat e njerëzve. “Largohuni! Largohuni!” Ajo thotë se dëgjoi të shtëna të tjera ndërkohë që po vraponte, por nuk di sa prej tyre kishte dëgjuar. Ajo po nxitonte të mbërrinte në shtëpi te djali i saj 3 vjeç.

“Në atë moment nuk më interesonte asgjë, vetëm të largohesha nga aty ngase më duhej të shkoja tek djali,” tha ajo.

Agjentët e zyrës lokale të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, shkuan në vendin e ngjarjes për të ndihmuar hetimet.

“Ka shumë spekulime rreth numrave,” tha kryebashkiaku Dirk Cavanaugh. “Nuk kemi shifra të konfirmuara se për sa bëhet fjalë.”

Sipas zonjës Erica Jolliff, vajza e saj, në klasën e nëntë, i kishte thënë se e kanë larguar me shpejtësi nga oborri i shkollës në orën 7:45. E shqetësuar, ajo ende pas një ore po kërkonte djalin Amirin, i cili shkon në të njejtën shkollë në klasën e 6.

“Vetëm dua të di se është mirë dhe i sigurt,” tha zonja Jolliff. “Nuk po më tregojnë asgjë.”

Qyteti Perry është njëri prej vendeve më me larmi racore se pjesa tjetër e shtetit të Ajovës. Sipas regjistrimit të popullsisë, 31 për qind e banorëve janë hispanikë dhe 19 për qind e popullatës së qytetit janë të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG