Lidhje

Shkatërrime dhe viktima nga zjarret masive në Los Anxhelos


Të premten u shtua intensiteti i dy zjarreve më të mëdha që dëmtuan zonën përreth qytetit Los Anxhelos, ndërsa zjarrfikësit po përleshen me flakët që u morën jetën 10 individëve. Zjarret kanë shkatërruar lagje të tëra të qytetit të dytë më të madh të Shteteve të Bashkuara.

Pacific Palisades, Los Angeles
Pacific Palisades, Los Angeles

Zyrtarët shprehen optimizëm se zbutja e erërave të forta që kanë ushqyer zjarret do të krijojë mundësinë që zjarrfikësit të bëjnë përparime në zonën e djegur që është më e madhe se qyteti i San Françiskos dhe ka shkatërruar më shumë se 10,000 shtëpi dhe struktura të tjera.

Pacific Palisades, Los Angeles
Pacific Palisades, Los Angeles

“Zjarret nuk janë shuar, megjithëse sot zjarrfikësit po bëjnë përparim”, tha të premten guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

13 milionë banorët e qytetit metropolitan, Los Anxhelos, nuk kanë patur reshje prej më shumë se tetë muajsh. Por vazhdimi i erës së fortë kërcënon përhapjen e zjarreve dhe shpërthimin e vatrave të reja.

Meteorologu Rich Thompson paralajmëroi se ndërprerja e erës mund të jetë e shkurtër.

Altadena, California
Altadena, California

“Të premten dhe të shtunën do të kemi një ndërprerje të vogël të erës që vijnë nga Santa Ana, por të dielën erërat do të shtohen për pjesën dërrmuese të javës”, tha i mbrëmjen e së enjtes.

Kryebashkiakja e qytetit Los Anxhelos, Karen Bass, tha të premten në mëngjes se zjarrfikësit kishin vënë nën kontroll disa zjarre të vogla gjatë 24 orëve të fundit.

West Hills, Los Angeles
West Hills, Los Angeles

Të enjten pasdite një zjarr filloi pranë një shkolle të kthyer si strehë për të evakuuarit në Luginën San Fernando. Zjarri u përhap në qarkun fqinj, Ventura, por reagimi i fuqishëm dhe agresiv i zjarrfikësve e ndaloi përhapjen e flakëve.

Shkatërrimet janë të një niveli të frikshëm edhe pse ky shtet është mësuar me zjarret masive. Dhjetëra blloqe banimi në lagjen e famshme “Pacific Palisades” janë kthyer në hi. Zjarri më i madh në historinë e zonës së qytetit Los Anxhelos ka shkatërruar mbi 5,300 struktura në këtë lagje.

Malibu
Malibu

Ndërkohë në qytezën Malibu, aty pranë, e cila shtrihet përgjatë brigjeve të oqeanit mbi kodrat përreth, kanë mbetur vetëm disa palma të zhuritura nga zjarri që ka gëlltitur gjithçka. Deri tani nuk dihet shkaku i zjarreve shkatërruese.

Zjarrfikësit shënuan përparime drejt vënies në kontroll të zjarrit në Pasadena, thanë zyrtarët të premten. Zjarri që filloi mbrëmjen e së martës ka shkatërruar më shumë se 5,000 struktura, një term që përfshin shtëpitë, apartamentet, bizneset dhe ndërtesa të tjera.

Zyrtarët ende nuk kanë dhënë shifra lidhur me koston e dëmit. Por kompania private “AccuWeather” e cila ofron të dhëna për motin dhe ndikimet e tij, njoftoi të enjten se zjarri ka shkaktuar dëme dhe humbje ekonomike që përllogariten të kenë një vlerë prej 135-150 miliardë dollarësh.

XS
SM
MD
LG