Lidhje

Shkupi i kërkon Turqisë ekstradimin e autorit të dyshuar për vrasjen e dyfishtë


Krenar Loga ekstradicija Palco Кренар Лога екстрадиција Палчо
Krenar Loga ekstradicija Palco Кренар Лога екстрадиција Палчо

Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke që ta mbajnë në paraburgim të dyshuarin kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjeçe në Shkup dhe të një 74-vjeçari në qytetin e Velesit deri sa të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij. Zyra e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga njofton se ai e ka nënshkruar kërkesën për ekstradim që do t’i dërgohet Ministrisë turke të Drejtësisë. Shkupi pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi në përgjigje të kërkesës.

Lupço Palevski
Lupço Palevski

Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje të përbashkët për ekstradim. Pasi të miratohet ekstradimi, do të merret një vendim për kohën dhe mënyrën e transferimit të të dyshuarit, Lupço Palevski.

Palevski u kap dje pasdite në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht ishte arratisur në Serbi, duke thënë se i duhej të shkonte për arsye shëndetësore. Avokati i tij deklaroi në polici se nuk kishte njohuri për përfshirjen e klientit të tij në vrasje.

Më pas, i dyshuari, sipas njoftimeve të organeve të rendit është larguar prej atje përmes Bullgarisë në drejtim të Turqisë. Aktualisht, pesë persona janë të dyshuar për veprën e vrasjes apo ndihmën në vrasjen e Vanja Gjorçevskës, përfshirë babain e saj, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se i kishte dhënë informata të akuzuarit kryesor Palevski lidhur me lëvizjet e vajzës së tij.

Ajo u rrëmbye më 27 nëntor në hyrje të ndërtesës ku banonte në qendër të Shkupit. Autoritetet njoftuan se vajzës i kishin lidhur duart dhe këmbët, e kishin futur në një thes dhe në bagazhin e makinës për ta dërguar pranë fshatit Brazdë në veri të Shkupi. Organet hetuese thonë se pas rreth tre orësh nga rrëmbimi, 14-vjeçarja ishte ekzekutuar me revole.

Vetura ishte pronë e Pençe Zhezhovskit, një berber 74 vjeçar, po ashtu i ekzekutuar më 24 nëntor nga Lupço Palevski. Prokuroria thotë se viktima u vra për një borxh prej 500 eurosh.

Procedurat e autopsisë kanë përfunduar, por të dhëna konkrete nuk janë bërë të ditura për publikun. Babai i vajzës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e saj, ndërkaq njëri nga të arrestuarit ka pranuar pjesëmarrjen në këtë vepër të rëndë. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas dyshimeve të policisë, motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës mund të jetë përfitimi material, apo zhvatja e parave nga nëna e saj që kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar prej prindërve të saj. Dy prindërit e vajzës ishin të divorcuar.

Ky rast ka tronditur opinionin e gjerë publik në Maqedoninë e Veriut. Dënimet me vdekje nuk ekzsitojnë në vend, ndërsa ekspertët presin nga gjykatat të japin dënime maksimale për autorët e kësaj vepre të rëndë.

XS
SM
MD
LG