Me një minutë heshtje në nderim të 30 vjeçares, Liridona Ademaj, e cila u vra javën e kaluar në Prishtinë, të martën i hapi punimet konferenca e parë rajonale kundër dhunës ndaj gruas.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi dënim maksimal për tre të arrestuarit e dyshuar për vrasjen, në mesin e të cilëve është bashkëshorti i Liridona Ademajt.
“Rastet e rënda si këto nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë përballë dhunës së përhapur gjinore”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se i tërë sistemi i drejtësisë duhet ta shndërrojë në përparësi trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gruas duke theksuar se dënimet e ulta po nxisin përsëritjen e krimit.
“Ajo që i duhet shoqërisë e drejtësisë më shumë tani është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv dhe shumë më efektiv. Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë të bie mbi supet e grave e të vajzave, as mbi supet e fëmijëve e të pleqve, as mbi supet e të varfërve e të shtypurve”, tha ai.
Me moton “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft”, konferenca ka mbledhur veprimtarë, ekspertë dhe udhëheqës të sistemit të drejtësisë nga rajoni, në përpjekje për të nxitur ndryshimet e nevojshme shoqërore dhe institucionale.
Ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Mane tha se gjatë këtij viti në Shqipëri mbi dy mijë e 370 gra kanë denoncuar dhunën, ndërsa theksoi nevojën e forcimit të mekanizmave raportues.
“Na duhet bashkëpunim, koordinim, shoqëri civile, institucione por dhe një fushatë ndërgjegjësimi sepse na duhet të rrisim dhe forcojmë mekanizmin raportues të dhunës në familje, këtu fillon lufta jonë kundër dhunës me bazë gjinore. Sepse siç e tha dhe moderatorja nga studimet në Tiranë një viktimë e dhunës në familje shkon nga katër deri në shtatë vjet për t’iu mbushur mendja që ta raportojë dhunën”, tha zoti Mane.
Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, ku 19 gra janë vrarë në katër vitet e fundit, nënvizoi rëndësinë e angazhimit për të ndryshuar mendësinë e shoqërive në rajon.
“Ne mund të marrim të gjitha konventat ndërkombëtare si ajo e Stambollit që e kemi miratuar dhe atë që e thatë dhe ju se ne e kemi pjesë të kodit penal tashmë nga muaji shkurt i këtij viti. Të gjitha këto janë të kategorizuara në legjislacionin e Maqedonisë dhe këto dënohen, por atë që nuk mund ta dënojmë është ky mentalitet i mbrapshtë që ne të gjithë e kemi ndërtuar ndoshta me dekada e shekuj ku roli i gruas në familje ka qenë vetëm një shtëpiake”, tha zoti Lloga.
Dhuna në familje - në të shumtën e rasteve dhunë ndaj gruas, është një dukuri e përhapur në Ballkanin Perëndimor. Rajoni është jashtëzakonisht konservator me një traditë shekullore të dominimit të burrave, por problemet u thelluan pas luftërave të viteve të ’90-ta dhe krizave politike, ekonomike dhe sociale të cilat kanë vazhduar që nga përfundimi i konflikteve. Veprimtarët thonë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ligje të duhura kundër dhunës ndaj gruas por problem mbetet shkalla e ultë e zbatimit të tyre.
Në Serbi 27 gra janë vrarë gjatë këtij viti, në Bosnje e Hercegovinë 65 gra janë vrarë gjatë 10 viteve të fundit ndërkaq në Kosovë që nga përfundimi i luftës 66 gra janë vrarë në incidente që lidhen me dhunën në familje.
Sipas të dhënave nga organizata UN Women, çdo e pesta grua e vrarë në botë, është viktimë e një anëtari të familjes.