Lidhje

Lufta Izrael-Hamas shkakton debat mes të rinjve amerikanë në mediat sociale


Postimet në mediat sociale nga fushat e betejës, si ajo në terren edhe ajo ideologjike e luftës Izrael-Hamas kanë polarizuar të rinjtë në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar në disa raste edhe kërcënime ose dhunë. Por siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës Anthony LaBruto, disa grupe e shohin tensionin në rritje edhe si një nevojë dhe mundësi për dialog.

Lufta Izrael-Hamas shkakton përplasje mes të rinjve amerikanë në mediat sociale
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00


Që kur filloi lufta Izrael-Hamas, në mediat sociale pasqyrohen zhvillimet e fundit dhe mendimet për konfliktin. Por në Shtetet e Bashkuara, gjithë ai informacion i papërpunuar dhe i ofruar pa kontekst mund të shkaktojë paqartësi dhe ide të gabuara, veçanërisht mes të rinjve. Brandon Leach është student i ‘Universitetit Amerikan’ dhe nënkryetar i degës së Komitetit Hebre Amerikan për këtë universitet.

“Të gjithë përballen me postime të shumta antisemitike ose pro-palestineze ose pro-izraelite në internet. Instagrami është i mbushur me to dhe kjo të lodh mendërisht. Do të thoja gjithashtu se është një situatë e rëndë për të rinjtë”, thotë ai.

Në universitetet e Uashingtonit, studentët bashkohen me ata që ndajnë pikëpamjet e tyre, qofshin ato pro Izraelit apo pro-palestineze. Si hebrenjtë edhe palestinezët kanë dalë në protesta për të shprehur indinjatën e tyre, thotë Taher Herzallah, drejtor i komunikimit i organizatës “Myslimanët Amerikanë për Palestinën”.

“Siç mund ta shihni, mijëra pjesëtarë të komunitetit tonë palestinezo-amerikan, kanë dalë për të shprehur zemërimin e tyre”, thotë ai.

Që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke shkaktuar vdekjen e 1,200 personave, shumë postime në mediat sociale dhe njoftime të mediave kryesore janë përqendruar tek rrethimi i Gazës nga Izraeli, që sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, ka shkaktuar vdekjen e mbi 14,000 njerëzve.

Një përqendrim i tillë tek gjendja në Gazë mund të shpjegojë të dhënat e TikTok-ut, sipas së cilave deri më 13 nëntor në këtë platfomë kishte 2.9 milionë më shumë video me etiketën "#FreePalestine", sesa ato me "#StandwithIsrael".

Por vetë TikTok paralajmëron se nuk mund të bëhen krahasime të thjeshta pa kontekstin e duhur. Megjithatë sipas studimeve të tjera, përkrahja për palestinezët mes të rinjve ishte rritur që përpara 7 tetorit.

TikTok citon të dhënat e Qendrës Pew për Kërkime të mbledhura në periudhën 2006-2016 që tregojnë se brezat më të moshuar që kanë më pak gjasa të jenë të pranishëm në këtë platformë, ishin më shumë të prirur të mbështesnin Izraelin se sa brezat e rinj.

Disa të rinj shohin një mundësi për komunikim tek ky polarizim në internet. Max Katz dhe Farid Abdibi krijuan organizatën e medias dixhitale “Left-Middle-Right” në Universitetin George Washington për të ndihmuar studentët e këtij universiteti dhe të rinjtë e tjerë të shprehin mendimet e tyre.

“Jam i sigurt se ka njerëz të radikalizuar nga të dyja palët, por shumica nga secila palë angazhohen në përputhje me identitetin dhe prejardhjen e tyre. Dhe nëse të dyja palët ulen në një tryezë, le të themi ‘GW [Universiteti George Washington] për Izraelin’ dhe ‘Studentët për Drejtësinë në Palestinë’, dhe bisedojnë, ata do ta kuptojnë se nuk e urrejnë njëri-tjetrin, nuk kanë probleme me bindjet e njëri-tjetrit. Thjesht ka një përplasje të identiteteve të tyre në rrethana të caktuara gjeopolitike”, thotë Farid Abdidi.

Komunikime të tilla mund të ofrojnë një lloj armëpushimi në sferën virtuale midis grupeve të radikalizuara nga interneti, edhe pse tensionet aktuale mes Izraelit dhe Hamasit mbeten të larta.

XS
SM
MD
LG