Lidhje

Reagime të ashpra në Kosovë për vrasjen e 30 vjeçares


E cilësuar fillimisht si pasojë e një grabitjeje, vrasja e një 30 vjeçareje me 29 nëntor në Prishtinë, nxiti reagime të ashpra, pasi dy ditë më pas u arrestuan tre të dyshuar, një nga të cilët bashkëshorti i saj.

Të tre pritet të dalin të dielën para gjykatës.

Reagime të ashpra në Kosovë për vrasjen e 30 vjeçares
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Autoritetet në Kosovë thanë se po zhvillohen hetime të thella për të ndriçuar vrasjen, por pa dhënë më shumë hollësi për rrethanat apo motivet.

Por mediat lokale në Kosovë, thanë se bashkëshorti qëndronte pas organizimit të vrasjes.

Betimi për Drejtësi, medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, shkroi se Naim Murseli bashkëshorti i Liridona Murselit, e ka pranuar para hetuesve se i ka dhënë autorit të vrasjes 15 mijë euro me zotimin për 15 mijë të tjera pas kryerjes së veprës.

“Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”, shkroi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke iu referuar të vrarës me mbiemrin e saj të vajzërisë. Që nga dje, në rrjetet sociale, kanë vërshuar kërkesat që që Liridona të njihet me këtë mbiemër.

Femicidi, shkroi presidentja Osmani, “është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen kolektive”, shkroi ajo duke theksuar mes tjerash se është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe “kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj”.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, shkroi ndërkaq ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, u shpreh “i tmerruar nga një rast tjetër i femicidit brutal. Ai e cilësoi ngjarjen si një alarm për të gjithë përgjegjësit që të veprojnë për ta ndalur këtë dukuri.

Vrasja ndodhi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “bashkë kundër dhunës - sot dhe çdo ditë tjetër”.

Policia e Kosovës tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë, janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Nëntëdhjetë për qind e viktimave të kësaj dhune janë gratë.

Sipas autoriteteve nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë vrarë 50 gra.

Gjatë vitit të kaluar tri gra u vranë nga bashkëshortët e tyre.

XS
SM
MD
LG