Lidhje

Kosovë: Aktakuzë kundër një të dyshuari për masakrën në burgun e Dubravës


Pamje nga Pallati i Drejtësisë në Prishtinë
Pamje nga Pallati i Drejtësisë në Prishtinë

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet “krime lufte kundër popullsisë civile’’.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se G.M. “akuzohet se me 22 maj të vitit 1999, ka marr pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë të burgosurve të tjerë, që të gjithë të përkatësisë kombëtare shqiptare, në ngjarjen e njohur si ‘Masakra e Dubravës”.

Hetimet, thuhet më tej në njoftim, kanë siguruar prova të mjaftueshme juridike që dëshmojnë se “i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”.

I akuzuari ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Në masakrën e në burgun e Dubravës në komunën e Istogut në maj të vitit 1999, qenë vrarë rreth 150 të burgosur shqiptarë dhe plagosur qindra të tjerë. Prokuroria tha se të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar “në mungesë”, meqë janë “të pa arritshëm për organet e rendit”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha në muajin dhjetor i arrestuari është Gavrillo Millosavleviç, që jeton afër Beogradit dhe “ kishte shkuar në Kosovë për të raportuar pronën e uzurpuar dhe është ndaluar me dyshimin për pjesëmarrje të supozuar në krime lufte”.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Që nga përfundimi i luftës, nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtarë janë dënuar gjithsej 70 veta për krime lufte.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 600 persona të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

XS
SM
MD
LG