Lidhje

Një serb i arrestuar për krime lufte në Kosovë


Pamje nga burgu i Dubravës - Kosovë
Pamje nga burgu i Dubravës - Kosovë

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një 64 vjeçar të përkatësisë kombëtare serbe nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile.

I arrestuari që u identifikua me inicialet G.M. dyshohet për përfshirje në masakrën në burgun e Dubravës në komunën e Istogut në maj të vitit 1999, gjatë së cilës qenë vrarë rreth 150 të burgosur shqiptarë dhe plagosur qindra të tjerë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të premten se i arrestuari është Gavrillo Millosavleviç, që jeton afër Beogradit dhe “ kishte shkuar në Kosovë për të raportuar pronën e uzurpuar dhe është ndaluar me dyshimin për pjesëmarrje të supozuar në krime lufte”.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Që nga përfundimi i luftës, nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtarë janë dënuar gjithsej 70 persona për krime lufte.

XS
SM
MD
LG