Lidhje

Dita e dytë e armëpushimit në Gazë, vonesa në shkëmbimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë


Marrëveshja për lirimin e pengjeve në Gaza u rikthye në fuqi të shtunën mbrëma, pasi u zgjidh një mosmarrëveshje për furnizimet me ndihma në veri të Gazës, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Një zyrtar palestinez në dijeni të përpjekjeve diplomatike tha se Hamasi do të vazhdojë me armëpushimin katër-ditor të rënë dakord me Izraelin, që mundësoi pauzën e parë të luftimeve pas shtatë javësh.

“Pas një vonese, pengesat për lirimin e të burgosurve u tejkaluan përmes kontakteve kataro-egjiptiane me të dyja palët, dhe 39 civilë palestinezë do të lirohen sonte, ndërsa 13 pengje izraelite do të largohen nga Gaza, krahas 7 të huajve”, njoftoi në rrjetet sociale zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari.

Ai shtoi se ndër të liruarit do të ishin tetë fëmijë dhe pesë gra, si dhe shtatë shtetasit e huaj.

Krahu i armatosur i Hamasit, i konsideruar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, njoftoi fillimisht të shtunën se pati vendosur shtyrjen e fazës së dytë të lirimit të pengjeve, deri kur Izraeli të angazhohej për lejimin e kamionëve me ndihma drejt Gazës.

Në përgjigje, një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha kanalit francez BFM se Izraeli ka respektuar plotësisht marrëveshjen. Të shtunën autoritetet izraelite patën njoftuar se pesëdhjetë kamionë që transportonin ushqime, ujë, pajisje mjekësore dhe për strehim mbërritën në pjesën veriore të Gazës.

Sipas marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve që përfshinë Izraelin, grupet militante palestineze, Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, do të lirohen gjithësej 50 pengje izraelite dhe 150 të burgosur palestinezë.

Ndërkohë të shtunën, Londra po përgatitej për një marshim pro-palestinez ku pritet pjesmarrja e dhjetëra mijëra vetëve. Protesta do të monitorohet nga më shumë se 1500 oficerë policie. Autoritetet thanë se do të ndalohet përdorimi në protestë i fjalëve apo imazheve "që mbështesin Hamasin ose ndonjë organizatë tjetër që është shpallur a paligjshme".

Njëzet e katër pengje, mes tyre 13 gra dhe fëmijë izraelitë, të moshës nga 2 deri në 85 vjeç, u liruan të premten në mbrëmje. Qeveria e Katarit bëri të ditur se Hamasi liroi gjithashtu edhe 10 shtetas tajlandezë dhe një filipinas.

Izraeli ka bërë të ditur gjithashtu se pauza në luftime mund të zgjatet me një ditë për çdo 10 pengje shtesë që lirohen nga Hamasi. Një zëdhënës i Katarit tha se Doha shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje tjetër për lirimin e më shumë pengjeve nga Gaza deri në ditën e fundit të armëpushimit.

"Shanset janë reale" për një zgjatje të pauzës në luftime, tha Presidenti Joe Biden në fjalimin e së premtes. Ai shtoi se dy gra dhe një fëmijë 4 vjeçar amerikan mbeten në mesin e personave të zhdukur.

Gjatë armëpushimit, pritet që në Gazë të futen kamionë me ndihma dhe karburant.

Sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze vetëm të premten në rajon u futën 196 kamionë me ndihma humanitare, aukolona më e madhe e këtij lloji që është futur në Gazë që nga fillimi i luftës.

Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencia e lajmeve Reuters.

XS
SM
MD
LG