Lidhje

Dy të vdekur nga shpërthimi i makinës në urën që lidh SHBA-të me Kanadanë


Ura Rainbow
Ura Rainbow

Shpërthimi i një makine në një pikë të kontrollit kufitar në urën Rainbow që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë të mërkurën, ka shkaktuar dy të vdekur dhe mbylljen e katër pikave kufitare në zonë, thanë autoritetet. Guvernatorja e Nju Jorkut tha se aktualisht nuk ka tregues se incidenti ka lidhje me terrorizmin. Tre urat e tjera tashmë janë hapur për trafikun.

Deri në publikimin e lajmit nuk ka të dhëna për shkakun e shpërthimit që ka ngritur shqetësime në të dy anët e kufirit.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se zyrtarët po e trajtojnë çështjen me seriozitet të lartë ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden po i ndiqte zhvillimet nga afër.

Dy personat e vdekur ishin në automjet, tha një zyrtar i zbatimit të ligjit për agjencinë e lajmeve Associated Press, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për hetimet.

Shpërthimi ndodhi në anën amerikane të urës Rainbow, e cila lidh të dy vendet që ndahen nga lumi Niagara.

Duke folur për kanalin WGRZ-TV, dëshmitari Mike Guenther tha se pa një automjet që ecte me shpejtësi të lartë në drejtim të pikës kufitare amerikane. Ai tha se makina shmangu përplasjen me një automjet tjetër dhe u përplas me një gardh dhe shpërtheu.

“Papritur, makina fluturoi në ajër dhe më pas shpërthyen flakë rreth 10 metra të larta”, tha dëshmitari Guenther për kanalin televiziv lokal.

Ura Rainbow dhe tre të tjera midis Nju Jorkut perëndimor dhe Ontarios së Kanadasë u mbyllën paraprakisht për arsye sigurie. Po ashtu edhe në aeroportin Buffalo-Niagara filluan kontrollet e sigurisë për të gjitha makinat dhe kontrolle shtesë për pasagjerët. Tre urat e tjera që lidhin Shtetet e Bashkuara me Kanadanë tashmë janë hapur për trafikun.

Rreth 6,000 automjete kalojnë çdo ditë urën Rainbow, sipas të dhënave amerikane nga Administrata Federale për Autostradat. Rreth 5% e tyre janë kamionë.

Ura me përbërje çeliku, e ndërtuar në vitin 1941, është rreth 439 metra e gjatë dhe lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë.

XS
SM
MD
LG