Presidenti Joe Biden u takua të mërkurën me homologun kinez Xi Jinping për bisedime që mund të zbusin fërkimet midis dy superfuqive lidhur me konfliktet ushtarake, trafikun e drogës dhe inteligjencën artificiale. Ky është takimi i parë në një vit mes dy udhëheqësve.
Zoti Biden e priti udhëheqësin kinez në kompleksin historik Filoli, rreth 48 kilometra në jug të San Françiskos, në prag të fillimit të takimit të udhëheqësve të vendeve të APEC-ut.
Presidenti Biden tha në fjalën hapëse se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të sigurohen që konkurrenca mes tyre “të mos tjetërsohet në konflikt” dhe se të vendet duhet që të menaxhojnë “me përgjegjësi” marrëdhëniet e tyre.
Presidenti Xi i tha udhëheqësit amerikan se në botë kishin ndodhur shumë zhvillime që nga takimi i tyre i fundit një vit më parë në Bali. “Bota ka dalë nga pandemia e COVID-it, por ende është nën ndikimet e saj të jashtëzakonshme. Ekonomia globale po rimëkëmbet, por vrulli i saj mbetet i ngadaltë”.
Presidenti Xi tha se marrëdhëniet SHBA-Kinë janë më të rëndësishmet në botë dhe se ai dhe zoti Biden mbajnë përgjegjësi të rënda për të dy popujt, për botën dhe historinë.
“Për dy vende të mëdha si Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kthimi i shpinës ndaj njëra-tjetrës nuk është një alternativë”, tha ai. “Është joreale që njëra palë të rimodelojë tjetrën, dhe konflikti dhe konfrontimi kanë pasoja të papërballueshme për të dyja palët”.
Udhëheqësit do të përpiqen të gjejnë mënyra për të zbutur tensionet, por nuk pritet të ketë përparime në dallimet e mëdha që ndajnë të dy vendet.
Zyrtarët në të dy anët e Paqësorit kanë thënë se pritshmëritë janë të ulta ndërsa udhëheqësit Biden dhe Xi do të diskutojnë për Tajvanin, Detin e Kinës Jugore, luftën Izrael-Hamas, pushtimin e Ukrainës nga Rusia, Korenë e Veriut dhe të drejtat e njeriut, çështje të cilat të dy udhëheqësit nuk kanë qene në gjendje t’i zgjidhin.
Presidentët Biden dhe Xi mbërritën në San Françisko të martën për të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të APEC-ut.
Udhëheqësit e 21 shteteve dhe qindra drejtues të lartë biznesesh marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, APEC, ndërsa ekonomia kineze po përjeton rënie dhe Pekini vazhdon mosmarrëveshjet territoriale me vendet fqinje. Ndërkohë, konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një ndarje mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate.
Ekspertët thonë se zoti Xi dëshiron që takimi me homologun Biden të jetë frytdhënës, një mesazh për ekonominë kineze në rënie dhe pakësimin e investimeve të huaja, se udhëheqësi kinez mund t’i trajtojë me sukses marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Përpjekjet për koreografi të kujdesshme të vizitës së Presidentit Xi mund të mos funksionojnë në San Françisko, pavarësisht përpjekjeve për të larguar të pastrehët nga rrugët.
Rruga nga aeroporti drejt vendit të takimit ishte e mbushur me demonstrues pro dhe kundër Partisë Komuniste që sundon Kinën, një pamje e pazakontë për Presidentin Xi, i cili i vizitoi Shtetet e Bashkuara për herë të fundit në vitin 2017.
Presidenti Biden është përpjekur për një diplomaci të drejtpërdrejtë me zotin Xi, me shpresën se marrëdhëniet personale disavjeçare me udhëheqësin më të fuqishëm kinez që nga koha e Mao Ce Dunit, mund t’i shpëtojnë lidhjet që po bëhen gjithnjë e më të ashpra.