Lidhje

Republikanët propozojnë planin për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë


Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson bëri publik të shtunën një propozim për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë. Propozimi parashikon zgjatjen e periudhës së financimit për disa agjenci dhe programe deri më 19 janar, e për disa të tjera deri më 2 shkurt.

Propozimi shihet si i pazakontë pasi zakonisht ligjvënësit miratojnë buxhetin deri në një datë të caktuar, për të gjitha programet së bashku.

Zoti Johnson vendosi të bëjë përpara me këtë qasje të kombinuar, për t'u dhënë përgjigje shqetësimeve të ligjvënësve republikanë që kërkojnë të shmangin paraqitjen e një fature financiare masive, pak para festave të fundvitit.

Projektligji i propozuar nga republikanët përjashton fondet e kërkuara nga Presidenti Joe Biden për Izraelin, Ukrainën dhe çështje që lidhen me kufirin amerikan me Meksikën. Zoti Johnson tha se ndarja e kërkesës së zotit Biden për të miratuar një projektligj plotësues urgjent, nga buxheti i përkohshëm për financimin e qeverisë, krijon kushte të mira për përgjegjshmëri fiskale, mbikëqyrje të ndihmës ndaj Ukrainës si dhe ndryshime kuptimplota të politikave në kufirin jugor të vendit.

Konservatorët e vijës së ashpër, që zakonisht janë kundër miratimit të buxheteve të përkohshme të çdo lloji, kanë dhënë sinjale se do t’i japin zotit Johnson, njëfarë lirie për ta miratuar ligjin, që do t’i jepte Kongresit më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje afatgjatë. Megjithatë edhe në mesin e tyre ka patur disa kritikë.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë e konsideroi propozimin e republikanëve si "joserioz", të pazbatueshëm dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe programet e brendshme.

"Ky propozim është një recetë për më shumë kaos nga e republikanëve”, tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

Ajo shtoi se “republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk duhet të humbasin kohë, por duhet të punojnë me qasje dypartiake për të parandaluar një mbyllje të qeverisë”.

Përballë një mbylljeje të qeverisë me përfundimin e vitit fiskal më 30 shtator, Kongresi u detyrua të miratojë një buxhet të përkohshëm që parashikonte financimin e qeverisë edhe për 47 ditë. Por pasojat e këtij vendimi ishin të rënda. Republikani Kevin McCarthy u shkarkua nga posti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve disa ditë më vonë dhe punimet e saj u paralizuan për pjesën më të madhe të muajit, mes mosmarrëveshjes në mesin e republikanëve për ta zëvendësuar atë.

Në një dokument ku jepen detaje mbi propozimin e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, siguruar nga ‘Associated Press’, thuhet se programet e veteranëve dhe ato që kanë të bëjnë me transportin, strehimin, bujqësinë dhe energjinë, do të financohen deri më 19 janar, ndërsa të tjerat, mes tyre ato që lidhen me sektorë si mbrojtja, Departamenti i Shtetit, Siguria Kombëtare dhe agjenci të tjera qeveritare, do të kenë buxhet deri më 2 shkurt.

XS
SM
MD
LG