Lidhje

Senatori demokrat Manchin nuk do të rikandidojë për t'u rizgjedhur në Senat


Vendimi i Senatorit demokrat Joe Manchin për të mos rikandiduar, zbeh shanset e demokratëve në shtetin e Virxhinas Perëndimore dhe vështirëson gjasat që demokratët të mbajnë shumicën në Senatin amerikan.

Disa zyrtarë të Partisë Demokrate janë të shqetësuar se vendimi i senatorit Manchin i hap rrugën hyrjes së tij në garën presidenciale si kandidat i një pale të tretë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke vënë në rrezik përpjekjet e Presidentit Biden për rizgjedhje.

76 vjeçari Manchin e ka diskutuar mundësinë e kandidimit për president në të kaluarën. Në videon e postuar të enjten në rrjete sociale, ku njoftoi se po hiqte dorë nga gara për Senat, ai sërish iu referua këtyre ambicieve.

“Do të vizitoj tërë vendin për të kuptuar nëse ka interesim për krijimin e një lëvizjeje që do të mobilizonte përkrahësit e politikës së qendrës dhe t’i bashkonte amerikanët,” tha zoti Manchin.

Ky vendim i papritur i zotit Manchin krijon paqartësi për udhëheqësit demokratë, të cilët janë të shqetësuar për gjasat e partisë së tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Presidenti Biden po kandidon për një mandat të dytë me gjithë shqetësimet e vazhdueshme të votuesve nga dy kampet rreth moshës së tij dhe çështjeve ekonomike.

Demokratët kanë një epërsi fare të lehtë në Senat, ku ata kontrollojnë 51 vende dhe republikanët kanë 49, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit të kaluar ata humbën me një diferencë të vogël shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një orë pasi zoti Manchin dha njoftimin, një grup me qendër në Boston dorëzoi dokumente në Komisionin federal zgjedhor për krijimin e një komiteti që do të nxiste Senatorin Manchin dhe Senatorin republikan Mitt Romney të shtetit të Jutas, të nisin procesin për pjesëmarrjen së një partie të tretë në zgjedhjet presidenciale. Një burim i afërt me aktivitetet e këtij grupi thanë se komiteti, i quajtur “Rikthimi i Amerikës”, do të fillojë punën publikisht javën e ardhshme, fillimisht me një buxhet prej 1 milion dollarësh.

Sipas këtij burimi, që dha informacionin me kusht që të mos i përmendej emri, kjo përpjekje po bëhej me qëllim që t’i mundësojë zotit Manchin dhe zotit Romney të dalin me kërkesën për t’u emëruar si kandidatë presidencialë në konventën kombëtare të grupit “Pa Etiketa” që mbahet në muajin mars në Teksas. Zoti Romney po ashtu ka refuzuar të garojë për zgjedhjet e Senatit vitin e ardhshëm.

Një zëdhënës i zotit Manchin refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve rreth këtij grupi, ndërkohë që zoti Romney u distancua nga ai, megjithëse avokati Dan Winslow, këshilltari kryesor ligjor i zotit Romney në kohën kur ishte guvernator, është pjesë e kësaj përpjekjeje.

“Senatori Romney nuk është në dijeni të kësaj nisme dhe nuk po mendon të kandidojë për president,” tha shefja e tij e kabinetit, Liz Johnson.

Megjithatë, fakti që zoti Manchin po inkurajohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ka shkaktuar nervozizëm tek demokratët, të cilët po shqetësohen për ndikimin që një nismë e tillë do ta ketë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Aktivisti i progresist Cornel West dhe avokati ambientalist Robert Kennedy tashmë kanë filluar përpjekjet e tyre për të garuar për zgjedhje presidenciale.

Por shumë demokratë po e shohin grupin “Pa Etiketa” më me seriozitet. Grupi që i takon politikës së qendrës mbështetet nga donacione anonime me shuma prej dhjetëra milionë dollarësh dhe tashmë ka siguruar të drejtën të përfshihet në fletëvotime në dhjetëra shtete dhe pritet ta fitojë këtë të drejtë edhe në shtete tjera. Zyrtarët e saj thonë se do të vendosin vitin e ardhshëm nëse do të dalin me kandidatë për zgjedhjet presidenciale.

“Nëse Joe Manchin kandidon nga grupi ‘Pa Etiketa’, ai do të jetë përgjegjës për zgjedhjen e Donald Trumpit në Shtëpi të Bardhë,” tha drejtorja e grupit “Move On” Rahna Epting. “Joe Manchin duhet ta caktojë se në cilën anë është dhe të refuzojë përpjekjet e rrezikshme të këtij grupi.”

Gjatë verës, dy grupe aleate të demokratëve, “MoveOn” dhe “Third Way”, kanë mbajtur takime me këshilltarët e lartë të Kongresit për t’i paralajmëruar për ambiciet presidenciale të grupit “Pa Etiketa.”

“Më vjen keq që ai nuk po kandidon për Senat, pasi do ta humbim atë vend,” tha bashkë-themeluesi i grupit “Third Way” Matt Bennett. Por zoti Bennett tha se ai është pak i shqetësuar me faktin se zoti Manchin mund të kandidojë nën flamurin e grupit “Pa Etiketa.”

“Ai dëshiron të bëhet pjesë e diskutimeve prandaj nuk dëshiron ta përmbyllë diskutimin për këtë çështje,” tha zoti Bennett. “Por, nuk mendoj se do të kandidojë.”

Zoti Manchin ka kohë që është i afërt me grupin “Pa Etiketa”, që po konsultohet privatisht me kandidatë të mundshëm, si zoti Manchin. Gjatë verës, senatori i Virxhinas Perëndimore mbajti fjalim në një tubim të grupit në Nju Hempshir, shteti ku tradicionalisht mbahet gara e parë pressidenciake mes kandidatëve të së njëjtës parti.

Grupi “Pa Etiketa” ka publikuar një deklaratë në të cilën e përshkruan zotin Manchin si “një zë të palodhur për shumicën e amerikanëve dhe një aleat tradicional i lëvizjes ‘Pa Etiketa’”.

“Senati do të humbë një udhëheqës të madh me largimin e tij, por ne e përshëndesim senatorin Manchin që ka udhëhequr këtë diskutim kombëtar për zgjidhjen e sfidave më të mëdha të Amerikës, përfshirë inflacionin, pasigurinë e kufirit, borxhin e madh dhe kërcënimet në rritje nga jashtë,” sipas deklaratës.

Zyrtarët e grupit insistojnë se do të dalin me kandidat vetëm nëse zoti Biden dhe zoti Trump zyrtarizohen si kandidatë presidencialë të partive të tyre – dhe nëse bëhet e qartë që përfshirja e kandidatëve të grupit “Pa Etiketa” nuk kontribuon në rritjen e gjasave të zotin Trump.

Ndërkohë, demokratët e pranuan që përpjekjet e tyre për të siguruar shumicën në Senat, tani u vështirësuan.

Partia Demokratike gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm po bëhet gati për gara sfiduese në shtetin e Virxhinias Perëndimore, Montana, Ohajo, Miçigan, Nevadë, Pensilvani dhe Uiskonsin dhe në Arizonë nëse senatorja e pavarur Kyrsten Sinema e afërt me demokratët, vendos të kandidojë si kandidate e një partie të tretë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate vlerësoi përkushtimin e Senatorit Manchin për banorët e Virxhinias Perëndimore dhe sukseset e tij në Uashington. Presidenti Biden tha se familja Manchin “duhet të jetë krenare me shërbimin e Senatorit për Virxhinian Perëndimore dhe vendin tonë.”

Zyrtarët e fushatës së Presidentit Biden refuzuan të komentojnë lidhur me mundësinë e kandidimit të zotit Manchin për president.

XS
SM
MD
LG