Lidhje

Guterres: Gaza është shndërruar në "një varrezë për fëmijë"


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri të hënën thirrje urgjente për një armëpushim humanitar në Gazë, duke thënë se ajo po shndërrohet në një "varrezë" për qindra fëmijë palestinezë në ditë, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit që nuk solli ndonjë rezultat.

"Rruga përpara është e qartë," u tha ai gazetarëve në Kombet e Bashkuara. "Një armëpushim humanitar. Tani."

Ai tha se të gjitha palët duhet gjithashtu të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe se asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin.

"Kjo do të thotë lirim i pakushtëzuar i pengjeve në Gaza - tani," tha ai duke iu referuar 240 personave që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit brenda Izraelit. "Unë nuk do të ndal kurrë përpjekjet për lirimin e tyre të menjëhershëm," shtoi ai.

Zoti Guterres tha se respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar nënkupton gjithashtu mbrojtjen e civilëve – përfshirë që ata të mos përdoren si mburoja njerëzore – spitaleve, objekteve të OKB-së, strehat humanitare dhe shkollat në Gaza, si edhe rritjen e sasive të ndihmave dhe karburantit në territorin e rrethuar.

“Asnjë nga këto apele nuk duhet të kushtëzohet nga tjetri”, tha ai.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se nuk do të ketë pauza humanitare pa u kthyer të gjitha pengjet, megjithëse të hënën në mbrëmje ai tha për një intervistë në televizionin amerikan ABC se mund të merrte në konsideratë “pauza të shkurtra taktike”.

Zoti Guterres tha se "makthi në Gaza" nuk është vetëm një krizë humanitare, por një "krizë e njerëzimit" dhe tha se palët në konflikt, si dhe komuniteti ndërkombëtar, kanë një përgjegjësi themelore për të ndalur vuajtjet.

Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se numri i të vdekurve palestinezë në territor kishte arritur në 10,000 që kur Izraeli filloi sulmet, në kundërpërgjigje të sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

Organizatat ndërkombëtare kanë thënë se spitalet nuk mund të përballojnë të plagosurit dhe ushqimi dhe uji i pastër po mbarojnë, ndërsa ndihmat janë absolutisht të pamjaftueshme.

"Kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Kanë kaluar 30 ditë. Mjaft është mjaft. Duhet të ndalet tani," thanë në një deklaratë krerët e disa organeve të Kombeve të Bashkuara të hënën, përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk, kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe shefin e OKB-së për ndihmat, Martin Griffiths.

Sekretari i Përgjithshëm Guterres shprehu shqetësimin për qindra fëmijë që vdesin dhe plagosen në Gaza çdo ditë, për dhjetëra gazetarë që janë vrarë dhe për punonjësit e ndihmave të OKB-së.

UNRWA, agjencia që ndihmon palestinezët, ka humbur 89 punonjës që nga 7 tetori, disa prej të cilëve me gjithë anëtarët e familjeve.

“Duhet të veprojmë tani për të gjetur një rrugëdalje nga kjo rrugë pa krye shkatërrimi brutal dhe të tmerrshëm”, tha ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim me dyer të mbyllura të hënën, por nuk arriti të miratojë asnjë masë. Është hera e katërt që ky organizë nuk arrin të miratojë një rezolutë për një armëpushim humanitar dhe aktualisht po diskuton një variant të pestë kompromisi.

Shtetet e Bashkuara, thonë se ende nuk ka marrëveshje.
"Kemi folur për pauza humanitare dhe jemi të interesuar të punojmë për një formulë në këtë pikë, por ka mosmarrëveshje brenda Këshillit nëse kjo është e pranueshme," tha zëvendësambasadori i SHBA-së Robert Wood pas takimit.

XS
SM
MD
LG